Që nga 4 nëntori i vitit të kaluar, ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, anëtari i Nismës, Jakup Krasniqi, shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi po qëndrojnë të burgosur në Hagë, ku ndër tjerash akuzohen edhe për vrasjen e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
E që nga arrestimi i tyre, Gjykata Speciale nuk ka zhvilluar ndonjë aksion tjetër në Kosovë.
E sipas analistit politik, Nexhat Haziri, viti 2021 do të jetë sfidues për shtetin e Kosovës.
“Ky vit do të jetë mjaftë sfidues për Kosovën si n ë rrafshin politik, për shkak se jemi vetëm një muaj para zgjedhjeve të parakohshme që pritet ta tensionojnë situatën politike në vend dhe jo vetëm, po ashtu edhe në aspektin e funksionimit të sistemit të drejtësisë që lidhet në veçanti me Gjykatën Speciale”, thotë analisti Haziri.
Ai shton se Gjykata Speciale nuk do të ndalet vetëm me arrestimin e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit.
“Natyrisht se Gjykata Speciale do të vazhdoj procesin e vënies së drejtësisë në vend duke zbardhë një pjesë të errët të historisë më të re të Kosovës, pra nuk do të ndalet vetëm Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin, por pritjet janë reale që të ketë më shumë arrestime, pasi në fokusin e kësaj gjykate do të jenë edhe hetimi dhe gjykimi I vrasjeve politike të pasluftës”, shprehet Haziri.
Për fund, Haziri thotë se i arrestuari i radhës pritet të jetë Azem Syla, ish komandant i Shtabit të Përgjithshëm.
“Unë pres qe arrestimet e reja të fillojnë në fillim të muajit mars dhe njëri nga ta do të jetë Azem Syla dhe shumë të tjerë”, përfundon analisti politik, Nexhat Haziri.