Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se është alarmuese situata në të cilën gjendet Kosova pas reshjeve të mëdha dhe vërshimeve që pasuan.
Kurti thotë se me keqardhje e mësoi se edhe shtëpia muze e nënës Ferdonije Qerkezi është dëmtuar nga vërshimet, që kanë prekur gjithë Gjakovën. Gjilani, Drenasi, Ferizaji, Fushë-Kosova, Vushtrria, Klina, Malisheva, Lipjani, Prizreni e komuna tjera dhe disa vende në Prishtinë po ashtu janë vërshuar gjatë ditëve të fundit, njofton Klan Kosova.
“Përballë forcave të natyrës njeriu është shpesh i vogël për t’u mbrojtur, e megjithatë, shtetet e organizuara mirë dallojnë prej të tjerave pikërisht sepse janë të përgatitur me dije e me struktura për të administruar me sa më pak kosto edhe probleme të tilla”.
“Por shiu ka nxjerrë në pah edhe dështimet e keqqeverisjes 20 vjeçare. Asfaltit me të cilin partitë e vjetra duan të marrin vota, u rishfaq si të ishte një qilim i lagur. Rrugët u prishën prej shembjeve të dheut, e të gjithë pamë se shtresa e asfaltit ishte e hollë dhe mungonin bazamentet siç i kërkon standardi inxhinierik. Pyjet janë prerë pa kontroll e pa plan. Brigjet e lumenjve janë rrënuar nga eksploatimet e egra të zhavorit. Gurthyesit pranë rrugëve të asfaltuara kanë eliminuar mbrojtjen që ofrojnë kodrinat për shtigjet qarkulluese”, ka thënë ai.
Kurti thotë se institojnë që Prokuroria menjëherë të hap hetimet për ndërtuesit e rrugëve, pronarët e gurthyesve, inspektorët e mbikqyrësit, por edhe për politikanët që kanë shpallur e kanë marrë vendim për tenderët dhe për konkurset.
“Ne do të insistojmë që Prokuroria menjëherë të hap hetimet për ndërtuesit e rrugëve, pronarët e gurthyesve, inspektorët e mbikqyrësit, por edhe për politikanët që kanë shpallur e kanë marrë vendim për tenderët dhe për konkurset. Është marre dhe është mëkat që me taksat e këtij populli të paguash çmimin shumë të shtrenjtë për rrugët krahasuar me rajonin, e në fund ato të jenë të cilësisë më të dobët”.
Reagimi i plotë i Kurtit:
Është alarmuese situata në të cilën gjendet Kosova pas reshjeve të mëdha e vërshimeve që pasuan. Rrallë ka mbetur ndonjë vend ku nuk janë bllokuar e nuk kanë shpërthyer kanalizimet, ndërkohë që gjithë kompanitë rajonale të ujësjellësit po aplikojnë kufizime, sepse fabrikat e ujit nuk po mund ta përballojnë pastrimin e ujit të turbulluar prej vërshimeve.
Mësova me keqardhje se edhe shtëpia muze e nënës Ferdonije Qerkezi është dëmtuar nga vërshimet, që kanë prekur gjithë Gjakovën. Gjilani, Drenasi, Ferizaji, Fushë-Kosova, Vushtrria, Klina, Malisheva, Lipjani, Prizreni e komuna tjera dhe disa vende në Prishtinë po ashtu janë vërshuar gjatë ditëve të fundit. Dëmtime kanë pasur shumë ferma bujqësore e blegtorale, por edhe katet e para, banesa e lokale tregtare nëpër qytete. Janë dëmtuar edhe automjete e prona të tjera të qytetarëve.
Përballë forcave të natyrës njeriu është shpesh i vogël për t’u mbrojtur, e megjithatë, shtetet e organizuara mirë dallojnë prej të tjerave pikërisht sepse janë të përgatitur me dije e me struktura për të administruar me sa më pak kosto edhe probleme të tilla.
Populli i Kosovës, këtë organizim funksional dhe këtë përkujdesje e mbrojtje, me të drejtë e kërkon dhe e pret nga shteti i vet.
Por shiu ka nxjerrë në pah edhe dështimet e keqqeverisjes 20 vjeçare. Asfaltit me të cilin partitë e vjetra duan të marrin vota, u rishfaq si të ishte një qilim i lagur. Rrugët u prishën prej shembjeve të dheut, e të gjithë pamë se shtresa e asfaltit ishte e hollë dhe mungonin bazamentet siç i kërkon standardi inxhinierik. Pyjet janë prerë pa kontroll e pa plan. Brigjet e lumenjve janë rrënuar nga eksploatimet e egra të zhavorit. Gurthyesit pranë rrugëve të asfaltuara kanë eliminuar mbrojtjen që ofrojnë kodrinat për shtigjet qarkulluese.
Ne do të insistojmë që Prokuroria menjëherë të hap hetimet për ndërtuesit e rrugëve, pronarët e gurthyesve, inspektorët e mbikqyrësit, por edhe për politikanët që kanë shpallur e kanë marrë vendim për tenderët dhe për konkurset. Është marre dhe është mëkat që me taksat e këtij populli të paguash çmimin shumë të shtrenjtë për rrugët krahasuar me rajonin, e në fund ato të jenë të cilësisë më të dobët.
Të varfëruar prej shekullit të pushtimit, të plaçkitur prej politikave neoliberale të pasluftës, të dobësuar prej krizës ekonomike e prej izolimit, e në vitin e fundit të rënduar edhe prej pandemisë, tash edhe shirat e vërshimet, shtoju këtyre edhe korrupsionin, kjo është një barrë shumë e madhe për bashkëqytetarët tanë.
Megjithatë, jemi optimistë sepse keqqeverisjen e krimin do t’i largojmë prej pushteti, e dalëngadalë do të punojmë së bashku me të gjithë ata që e duan punën e ndershme, që e respektojnë ligjin, që të forcohemi si vend. Puna dhe organizimi do t’i kthejnë gjërat kah e mbara.