Në finalen e Kupës te meshkujt në volejboll, Peja do të ndeshet me Skënderbeun.
Skënderbeu ka siguruar finalen e madhe të Kupës së Kosovës, pasi të enjten mbrëma u tregua e fortë për G.E Therandën, në ndeshjen gjysmëfinale të zhvilluar në palestrën “Better Life” në Lipjan.
Skënderbeu triumfoi me rezultat 3-1 (25:22, 19:25, 27:25, 28:26), në një ndeshje e cila ishte e baraspeshuar pas dy seteve të parë.
Mirëpo, nikoqirët u desh të luftonin fuqishëm në dy setet pasuese për të arritur fitoren dhe finalen, teksa fituan setet me vetëm dy pikë diferencë.
Nga takimi tjetër gjysmëfinale, kampionia në fuqi i Superligës A, meshkujt, Peja ka siguruar finalen e Kupës së Kosovës, pas fitores të enjten në ndeshjen gjysmëfinale kundër Lubotenit.
Pejanët triumfuan me rezultat 3-0 (25:16, 25:21, 25:12), në një përballje të dominuar përgjatë tri seteve.
Rezistencën më të madhe ferizajasit e bënë në setin e dytë, të cilin e humbën me vetëm katër pikë disavantazh.