Disa pjesë të Pekinit janë vënë nën izolim të shtunën pasi gjashtë raste të reja, të brendshme u raportuan, duke ndezur frikën e një rikthimi të transmetimeve lokale.
Njerëzit janë ndaluar të dalin nga shtëpitë në 11 komplekse banimi në jug të distriktit Fengtai në Pekin, pasi pjesa më e madhe e rasteve lidheshin me një treg mishi aty afër.
Rasti i parë i Covid-19 në dy muaj u njoftua të enjten, dhe bëhet fjalë për një person që kishte vizituar tregun e mishit dhe nuk kishte histori të udhëtimeve të fundit jashtë qytetit.
Shpërthimi i koronavirusit në kinë ishte vendosur nën kontroll edhe për faktin se izolime strikte u ndërmorën pasi sëmundja u pikas së pari në qytetin e Wuhanit. Këto masa tashmë janë hequr dhe shkalla e infeksioneve ra ndërkohë që pjesa më e madhe e rasteve të raportuara në muajt e fundit ishin qytetarë që jetonin jashtë dhe që testoheshin në kthimin në shtëpi. Mes gjashtë rasteve të reja të njoftuara të shtunën, tre ishin punonjës të tregut, një vizitor dhe dy punonjës të qendrës së kërkimeve për mishin në kinë, shtatë km larg tregut.
Autoritetet mbyllën menjëherë tregun, bashkë me një tjetër treg ushqimesh deti të vizituar nga një prej pacientëve, për dezinfektim dhe marrje kampionësh. AFP raporton se qindra oficerë policie dhe dhjetëra paraushtarakë ishin vendosur në të dy tregjet. Nëntë shkolla dhe kopshte të afërta u mbyllën po ashtu. Të premten, zyrtarët e Pekinit shtynë kthimin në shkollat fillore të nxënësve në qytet dhe pezulluan të gjitha eventet sportive dhe drekat apo darkat në grupe. Edhe turet turistike mes provincave janë pezulluar.