Trajneri italian, Carlo Ancelotti vazhdon të fitojë trofe dhe të vendosë rekorde në karrierën e tij të jashtëzakonshme si trajner. Italiani festoi fitimin e Botërorit për Klube për herë të tretë.
Reali i Madridit mposhti 5-3 Al Hilal në një finale plot emocione. Ndërkohë, Ancelotti barazoi Pep Guardiolën dhe Carlos Bianchin me tri suksese në këtë kompeticion.
Federata Braziliane e Futbollit vijon ta cilësojë trajnerin e famshëm si pasardhësin perfekt të Tites. Ancelotti nuk e ka mohuar dëshirën për të drejtuar pesë herë kampionët e botës, por është nën kontratë.
63-vjeçarit i përfundon kontrata me “Los Blancos” në verën e vitit 2024. Presidenti Perez ka një vlerësim të madh për italianin, por nuk ka ndërmend ta pengojë nëse pranon ofertën e Brazilit.
Shtypi spanjoll shkruan se te Reali e kanë të qartë pasardhësin e Ancelottit. I përzgjedhuri është Jurgen Klopp, i cili po kalon periudhën më të vështirë te Liverpooli.
Gjermani ka fituar gjithçka në “Anfield” dhe një telefonatë për të marrë përsipër drejtimin e Realit vështirë ta refuzojë. Por, duhet pritur fundi i sezonit në lidhje me ndryshimet në pankinë.