Nënkampionia e Kosovës në basketboll, KB Trepça, ka siguruar pjesëmarrjen në sezonin e rregullt të FIBA Europe Cup.
Trepça përfundoi e para në Grupin C të turneut kualifikues të mbajtur në Estoni.
Pas triumfit ndaj Tindastoll, Trepça ka mundur javën e kaluar edhe skuadrën estoneze, Parnu.
Trepça pas kualifikimit historik në FIBA Europe Cup do të përballej me skuadrën izraelite, Galil Elyon.
Por, situata në Izrael ka bërë që kjo ndeshje të pezullohet, njoftoi Federata e Basketbollit të Kosovës.
Drejtorin i kuadrës nga Mitrovica, Besim Braha, i ka thënë se edhe pse ndeshja është pezulluar, nuk ka vendim për anulimin e saj.
“Nuk ka ende vendim zyrtar. I takon FIBA-s që të marr vendim së bashku me skuadrën e Izraelit. Ne nuk kemi njohuri më shumë për momentin”, tha Braha të mërkurën.
Trepça në ndeshjen e dytë të grupeve parakualifikuese mposhti Parnu Sadam, në takimin e zhvilluar në Estoni.
Braha ka folur edhe për rikthimin e vështirë nga Estonia në Kosovë.
Trepça ka udhëtuar nga Estonia në Poloni, pastaj Maqedoninë e Veriut për të ardhur në Kosovë.
“Gjatë kthimit një pjesë e kemi kaluar me aeroplan dhe një pjesë me autobus. Në Varshavë kemi pritur rreth katër orë. Nga Varshava kemi ardhur në Shkup me fluturimin që zgjati rreth dy orësh. Por, gëzimi i fitores na ka bërë që të mos e ndjejmë udhëtimin”, zbuloi Braha.
Pas fitimit të Kupës dhe Superkupës së Kosovës, Trepça synon edhe titullin kampion.
“Synimet tona në Superligën e Kosovës janë të qarta dhe po punojmë që t’i arrijmë titullin edhe kupën. Synimi kryesor janë paraqitjet sa më të mira”, pohoi ai.
Trepça ndeshjen e radhës e luan të enjten me Pejën në Palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Kjo ndeshje i takon elitës së basketbollit kosovar.
“Peja ka një skuadër të mirë. Plus do të ketë një përparësi sepse luan si vendase. Ne do të shkojmë dhe të japim maksimumin dhe presim një rezultat pozitiv”, shtoi Braha.
Të dy skuadrat e kanë nisur kampionatin shumë mirë me nga dy fitore në po aq ndeshje të zhvilluara.