Superliga e Kosovës ka filluar në fundjavë, ku nuk munguan ndeshjet e bukura, golat dhe numra i madh i shikuesve.
Derisa ndeshjet po zhvillohen, afati kalimtar mbetet i hapur deri më 31 gusht, ku klubet kanë të drejtë të ofrojnë lojtarë.
Duke i parë ndeshjet e para, ka mundësi që disa klube të ofrojnë lojtarë në repartet ku kanë mungesë.
Telegrafi ua sjell pesë transferimet që mund të ndodhin brenda kësaj jave, pa filluar xhiro e dytë.
Ahmed Januzi – Llapi
Sulmuesi i njohur ka mbyllur aventurën dy vjeçare me Dukagjinin dhe aktualisht është lojtar i lirë.
Bisedimet me Llapin janë në fazë të avancuar dhe marrëveshja mund të kryhet shumë shpejtë.
Ai edhe më parë ka qenë pjesë e kësaj skuadre, ku kishte fituar Kupën e Kosovës.
Përparim Islami – Llapi
Mbrojtësi i njohur mund të kthehet në vendlindje, pasi ka mbyllur aventurën me Gjilanin.
Ai më parë ka luajtur me Hysin në Podujevë, ndërsa ka bërë karrierë me klube si Prishtina, Hajvalia, Trepça ’89, Feronikeli dhe Drita, duke fituar trofe të shumtë.
Islami shihet si njëri prej mbrojtësve më të mirë të djathtë në vend.
Festim Alidema – Liria
Anësori këmbëshpejtë ka mbetur pa skuadër, pas largimit nga Llapi, ku kishte bërë një rikthim.
Ai është bashkuar KA-Sportmanagement, që drejtohet nga Rrahman Kiçe, president i Lirisë.
Nuk do të ishte çudi që Alidema të bashkohej me Lirinë, pastaj të kërkonte të riktheje në futbollin evropian, pasi më parë ishte pjesë e Slaven Belupo.
Victor Da Silva – Ballkani
Sulmuesi anësor, Victor Da Silva, është një nga lojtarët që mund të zbarkojë në futbollin kosovar.
Ish-sulmuesi i Vllaznisë ishte te Partizani së fundmi.
Ai mund të jetë një përforcim për Ballkanin që po kërkon sërish grupet e Ligës së Konferencës.
Redon Ismaili – Malisheva
Talenti që sezonin e shkuar debutoi me Gjilanin, ka pasur shumë oferta në drejtim të tij pasi shihet si një nga mesfushorët e rinj më të mirë në elitën e futbollit kosovar.
Ai ka ende kontratën me klubin gjilanas, por Malisheva është duke bërë presion për t’i siguruar shërbimet e tij.
Ismaili do të pres edhe disa ditë për të parë se çfarë do të bëjë me të ardhmen e tij pasi situata te Gjilani vazhdon të jetë ende e paqartë.
Përpos Malishevës janë edhe klube të tjera të Superligës që kanë shfaqur interesim për të, por Malisheva duket më e favorizuar.