Granit Xhaka nuk e ka ndërmend të largohet nga Arsenali.
Futbollisti kosovar e sheh të ardhmen e tij të lidhur me klubin anglez, i cili po tregohet protagonist këtë sezon në Premierligë.
Mediumi “90min” raporton se përfaqësuesi zviceran është duke negociuar me “Gunners” rreth kontratës së re, përcjell “Gazeta Express”.
Ish-futbollisti i Baselit dhe i Borussia Monchengladbachut e ka ngritur veten dhe e ka bërë lojtari kyç të ekipit të Mikel Artetas, ndërsa trajneri spanjoll e ka dhënë dritën jeshile për t’ia vazhduar bashkëpunimin atij.
Xhaka kishte pasur probleme me tifozët e Arsenalit kohë më parë, por tash ato janë relaksuar dhe ai është bërë mjaft i dashur në “Emirates Stadium”.
Edhe pse e kërkonte Roma e Jose Mourinhos, futbollisti luftarak vendosi t’ju qëndronte besnik “Topçinjve”, me të cilët në këtë edicion synon ta fitojë titullin e kampionit në Premierligë.
Xhaka aktualisht është zëvendës-kapiten i Arsenalit, por ai është një lider i lindur dhe shpeshherë i motivon shokët e skuadrës si të ishte kapiteni i parë. /Gazeta Express/