Policia e Kosovës në vazhdën e aktiviteteve intensive, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të aktiviteteve të kundërligjshme kriminale, e në veçanti atë të trafikimit me narkotikë dhe të kontrabandimit me mallra, nën zbatim edhe të planeve operacionale, ka intensifikuar kontrollet në terren, të cilat kanë rezultuar me identifikimin e një lokacioni ku po kultivoheshin bimë narkotike si dhe parandalimin e kontrabandimit të mallrave.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se më datë 13.09.2024 Njësitet e Policisë Kufitare nga DRPK “Perëndimi” në Gjakovë, gjatë implementimit të një plani operativ, pas një pune operative dhe hetimore në një zonë të thellë malore, konkretisht në brezin kufitare me Shqipërinë, ka lokalizuar vendin ku dyshohej se kultivoheshin bimë narkotike.
“Njësitet e Specializuara Kufitare, së bashku edhe njësinë e Antidrogës në Gjakovë, kanë shkuar në lokacionin e dyshuar dhe në vendin e ngjarjes i kanë gjetur dy parcela, në të cilën kishin qenë të mbjella 150 bimë të dyshuara narkotike (kanabis sativa) me gjatësi 1 deri ne 2 m”, thuhet në njoftim.