Në prag të festave të fundvitit, presidenti Agim Ademi së bashku me Komitetin Ekzekutiv, sot, kanë organizuar drekën e fundvitit me sponsorët dhe partnerët e FFK-së: TEB, Albi Mall, Viva Fresh, Emerald, HIB, Sigal Uniqa Group Austria, KEP, Al-Trade, Art Motion, KEDS dhe Uji i Alpeve.
I pari i FFK-së, shprehu falënderimin e tij, të Komitetit Ekzekutiv dhe tërë komunitetit të futbollit për sponsorët.
Ai partnerëve tradicional i shprehu mirënjohje për vazhdimin e rrugëtimit të përbashkët, derisa sponsorëve të rinj u dëshiroi rrugëtim të gjatë së bashku dhe suksese në bizneset e tyre.
“Partneriteti me ju përveç mbështetjes së futbollit, ka bërë që të rritet edhe rejtingu ynë sepse ju jeni brendet më të rëndësishme në shtetin tonë.
Bashkëpunimi ynë ka bërë që të ketë ndikim në progresin e përgjithshëm në futbollin tonë, por edhe karshi klubeve, futbollistëve dhe mbarë opinionit”, ka theksuar Ademi.
Ai ka thënë se FFK funksionon nga mjetet që përfiton nga UEFA e FIFA nëpërmjet projekteve si dhe nga sponsorët e saj, derisa theksoi se edhe për bizneset është privilegj që të jenë pjesë e federatës më masive në vend dhe veçmas e futbollit, që është sporti më popullor dhe që na bën krenar të gjithëve.
Presidenti ka folur edhe për situatën e fundit, ku nga qarqe të caktuara bëhet trysni mbi federatën për kinse moslicencim. “Është një grup i interesit për të cilin tashmë i gjithë opinoni është i informuar që po mundohen të bëjnë çmos për ta penguar progresin e FFK-së sepse ju pengon kreu i saj.
Nuk arritën të bëjnë asgjë përmes votës së lirë dhe tani po mundohet të përdorin mekanizma brenda institucioneve shtetërore për të arritur kapjen e federatës. Por, pas të gjitha hetimeve të inciuara nga fjalë të njerëzve të këtij grupi të interesit gjithçka rreth punës në federatë ka dalë e pastër, sepse ne punojmë me transparencë maksimale.
Në krye të futbollit nuk mund të vish me hatër e as me para, por me projekte, dijeni e përvojë“, ka nënvizuar kreu i FFK-së.
Ai ka thënë se përkundër tendencave nga grupe të interesit, FFK do të licencohet dhe do ta vazhdojë punën e saj në ngritjen e mëtejshme të futbollit në Kosovë, pasi puna e saj vlerësohet jashtëzakonisht shumë nga UEFA e FIFA.
Ndërkaq, në emër të sponsorëve foli pronari i kompanisë VIVA Fresh, Xhevdet Rexhepi, i cili theksoi se ndihet mirë që në drekën e këtij fundviti edhe numri i sponsorëve është rritur.
Kjo sipas tij, dëshmon punën e mirë të federatës dhe ka shprehur shpresën se në takimin e fundvitit të ardhshëm të shtohet edhe më shumë numri i sponsorëve. “Shumë shtete kanë filluar të njihen në botë përmes futbollit, prandaj edhe ne si kompani më serioze në vend duhet të japim kontributin tonë bashkërisht që ta ndihmojmë futbollin për të ecur përpara dhe që me sukseset e futbollit të njihemi si shtet kudo në botë“, ka thënë Rexhepi, derisa ka falënderuar FFK-në për mundësinë që ua ka dhënë që të rrugëtojnë së bashku.
Në fund të kësaj dreke, presidenti Ademi ndau dhurata për të gjithë sponsorët si shenjë falënderimi për mbështetjen gjatë vitit 2022.