Presidenti Agim Ademi, i cili po merr pjesë në Kongresin e 48 të UEFA-së në Paris si dhe në 70 vjetorin e themelimit të saj, ka zhvilluar takime me presidentin e UEFA-s, Aleksandër Çeferin dhe presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino.
Në takimin me presidentin e UEFA-s, Çeferin, presidenti Ademi e ka informuar atë rreth zhvillimeve në FFK dhe për projektet që janë në zhvillim e sipër dhe ato që pritet të realizohen. Pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishte projekti për stadiumin “Fadil Vokrri”, ku do të bëhet ndërrimi i fushës në hibrid, në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Marrëveshja mes dy institucioneve do të nënshkruhet së shpejti dhe më pas të fillojnë punimet në këtë projekt, në mënyrë që stadiumi të jetë i gatshëm për ndeshjet zyrtare të Kombëtares së Kosovës.
Në takimin me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, presidenti Ademi ka prezantuar projektet e FFK-së që janë nën mbikëqyrjen e FIFA-s, e ku brenda pak ditëve një delegacion i FIFA-s pritet të vizitojë Kosovën për të parë nga afër zhvillimin e projekteve dhe të futbollit në vendin tonë.
Gjatë Kongresit të UEFA-s, presidenti Ademi ka zhvilluar një takim miqësor edhe me presidentin e Federatës Turke të Futbollit, Mehmet Büyükekşi dhe delegacionin e kësaj federate. Në këtë takim, i pari i FFK-së ka shprehur dëshirën për një bashkëpunim edhe më të ngushtë ndërmjet Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Federatës Turke të Futbollit në të gjitha drejtimet.
Në punimet e Kongresit të UEFA-së u miratuan ndryshimet në statutin e UEFA-së, raporti financiar, si dhe u caktuan anëtarët e Shoqatës së Klubeve Evropiane dhe Shoqatës së Ligave Evropiane, të cilët do të shërbejnë në Bordin e Drejtorëve të UEFA-së.