Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, dhe rivali i tij kryesor, i cili ia ka vënë në pikëpyetje fitoren në zgjedhjet presidenciale, Abdullah Abdullah, janë afër arritjes së një marrëveshjeje për ndarjen e pushtetit për t’i dhënë fund krizës politike, sipas tri burimeve të afërta me këtë çështje.
Këto burime thanë se palët janë duke i vazhduar diskutimet për disa poste të rëndësishme politike, por marrëveshja mund të nënshkruhet të dielën pasdite, shkruan “Reuters”.
“Në përgjithësi, të dyja ekipet kanë arritur një marrëveshje, në bazë të së cilës secila do ta marrë 50 për qind të pushtetit. Ajo që po diskutohet tash për tash është se cilat ministri do t’i marrë njëra dhe pala tjetër”, tha njëri nga burimet.
Abdullah Abdullah kishte marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të shtatorit të vitit të kaluar, por nuk e kishte pranuar rezultatin zyrtar, që e nxirrte fitues presidentin e tanishëm Ashraf Ghani. Ai madje e shpalli një qeveri paralele në fillim të këtij viti, duke e rrezikuar administratën e Ghani-t.
Kriza politike në Afganistan vazhdoi edhe në kohën kur vendi po përballet me koronavirusin dhe kur Shtetet e Bashkuara po bëjnë përpjekje për arritjen e paqes me talibanët.