Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, të premten tha se udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, mbajti “një fjalim të mirë” të enjten, kur bashkëpartiaku bëri thirrje për zgjedhje të reja në Izrael me të cilat potencialisht do të zëvendësohej kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të cilin Schumeri e përshkroi si pengesë ndaj paqes.
“Ai mbajti një fjalim të mirë” – tha Bideni në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, kur u pyet nga gazetarët rreth komenteve të Schumerit në foltoren e Senatit, raporton gazeta “The Times of Israel”.
“Ai shprehu shqetësime serioze, të ndara jo vetëm nga ai por nga shumë amerikanë” – tha më tej presidenti amerikan, duke shtuar se stafi i tij ishte i njoftuar paraprakisht për këtë fjalim nga zyra e Schumerit.
Zëdhënësi për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha gjatë një konference për gazetarë se “i përket popullit izraelit që të vendosë” nëse duhet të mbahen zgjedhje kombëtare.
Në fjalimin e tij të së enjtes, Schumeri foli për një ndjenjë detyrimi si hebre amerikan që të flasë rreth rolit të Izraelit në arritjen e paqes me palestinezët.
“Ne e duam Izraelin deri në asht” – tha ai për komunitetin hebraik amerikan. “Ajo që e ka nënkuptuar Izraeli për gjeneratën time, brenda kujtesës së gjallë për Holokaustin, është e pamundshme të matet” – tha ai.
Megjithatë, figura e lartë demokrate e futi Netanyahun në listën prej katër pengesave për paqe bashkë me Hamasin, të djathtën ekstreme izraelite dhe presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, duke thënë se kryeministri izraelit “e ka humbur rrugën” politikisht dhe se qeveria e tij nuk u përshtatet nevojave të realitetit të Izraelit pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi.
Prandaj, sipas tij, ai beson që Izraeli ka nevojë për të mbajtur zgjedhje, duke e nënkuptuar nevojën për zëvendësimin e Netanyahut dhe të atyre që amerikani i cilësoi si ekstremistë në qeverinë izraelite, si ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, e ministri i Financave, Bezalel Smotrich.
Fjalimi i Schumerit nxiti kritika të ashpra nga zyrtarë në Izrael. Partia Likud e Netanyahut tha: “Izraeli është demokraci e pavarur dhe krenare që e ka zgjedhur kryeministrin Netanyahu, jo banana-republikë… Nga senatori Schumer pritet që ta respektojë qeverinë e zgjedhur të Izraelit, jo ta minojë atë.”
Ambasadori izraelit në ShBA, Michael Herzog, tha: “Izraeli është demokraci sovrane. Është e padobishme – aq më tepër përderisa Izraeli është në luftë kundër organizatës terroriste gjenocidale të Hamasit – që të komentohet për skenën e brendshme politike të një aleati demokratik.”