Suksesit të FC Prishtina 01 në Ligën e Kampionëve në futsall iu ka gëzuar edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes së sotme, ku Prishtina 01 barazoi me skuadrën polake, KSC Lubawa (1:1), kreu i FFK-së ka uruar lojtarët, trajnerët dhe stafin e klubit nga kryeqyteti për kualifikimin në “Main Round”.
Postimi i plotë i Ademit:
Urime FC Prishtina 01
Kampioni i Kosovës në futsall, FC Prishtina 01 është kualifikuar në ‘Main Round’ në Ligën e Kampionëve.
Pas fitoreve bindëse ndaj islandezëve të Ísbjörninn (11:1) dhe ndaj norvegjezëve të Utleiras (5:1), skuadra jonë kampione barazoi me shifrat 1:1 kundër polakëve të KSC Lubawa, rezultat ky i cili ia mundësoi pozitën e parë në Grupin D dhe kualifikimin në mesin e skuadrave elitare të futsallit.
Me këtë rast dua të përgëzoj të gjithë lojtarët e FC Prishtina 01, stafin e trajnerëve dhe drejtuesit e klubit për këtë arritje të madhe dhe për prezantim dinjitoz të futsallit kosovar në arenën evropiane.
Së bashku do të vazhdojmë të punojmë në ngritjen e mëtejme të kësaj loje në vendin tonë dhe në arritjen e sukseseve të radhës.
Inkurajoj lojtarët e FC Prishtina 01 që të vazhdojnë të punojnë me përkushtim dhe të përgatiten sa më mirë për ndeshjet e “Main Round” që do të zhvillohen në muajin tetor.
Urime e ju priftë e mbara!
#BashkëPërFutbollin #FutsalKosova