Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka dhënë detaje konkrete mbi zhvillimet në ndërtimin e Kampit Nacional të Kosovës, një projekt kyç për të ardhmen e futbollit kosovar dhe një bazë moderne për zhvillimin e të gjitha ekipeve kombëtare.
“Në aspektin e infrastrukturës Kampi Nacional është prioritet. Por, paralelisht me kampin po vazhdojmë edhe me projektin çdo 45 ditë nga një fushë për klube. Kampi në Hajvali është në proces të punës, në përfundim e sipër janë tribunat. Shumë shpejt do të përfundojë ndërtimi i vrazhdë dhe do të niset me ulëset, me ndarjen e zonave VIP etj. Bari aktual do të transferohet në njërën nga dy fushat tjera të kampit, derisa në stadiumin kryesor, që do të ketë diku rreth 15 mijë ulëse, do të jetë fusha hibride e ngjashme me atë në ‘Fadil Vokrri’”, tha Ademi në RTK.
Ademi konfirmoi se në këtë kompleks do të vendosen edhe zyrat e Departamentit të Edukimit dhe të sektorit teknik, duke përfshirë trajnerët dhe team-menaxherët e kombëtareve. Një sallë moderne për operacione dhe rigjenerim do të jetë pjesë përbërëse e kampit, për t’iu shërbyer lojtarëve në rast lëndimesh.
“Plani është që deri në fund të këtij viti të përfundojnë punimet e jashtme dhe më pas të kalojmë në ndërtimin e pjesës së brendshme, përfshirë hotelin dhe SPA-në. Inaugurimi i kampit pritet në shtatorin e vitit të ardhshëm me një ndeshje të yjeve botërore kundër veteranëve tanë”, tha Ademi.
Stadiumi i Kampit do të jetë i kategorisë 4+, çka e bën të përshtatshëm edhe për ndeshjet e Kombëtares A. Por Ademi paralajmëroi se Kombëtarja do të jetë prezente edhe në qytete të tjera në të ardhmen.
“Nëse përparon infrastruktura edhe në Gjakovë, Gjilan apo Pejë, atëherë Kombëtarja do të luajë në të gjitha këto qytete. Ajo është e të gjithëve”, nënvizoi presidenti i FFK-së. E sa i përket infrastrukturës, ai edhe një herë u shpreh i gatshëm për Memorandume Bashkëpunimi me të gjitha komunat për ndërtimin e fushave të futbollit, derisa tha se prioritet për vitin e ardhshëm do të jetë krijimi i kushteve më të mira në stadiumet e klubeve dhe vendosja e reflektorëve, në mënyrë që ndeshjet të zhvillohen në orët e përshtatshme të mbrëmjes.