Zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj, në konferencën e mbajtur sot ka treguar kronologjinë e rastit të 11-vjeçares së dhunuar dhe trafikuar në Prishtinë nga 11 persona në muajin qershor dhe gusht të këtij viti.
Rasti fillimisht ishte denoncuar më 21 qershor, kur viktima ishte raportuar e zhdukur nga nëna e saj, kurse një ditë më pas është gjetur dhe është intervistuar nga policia, me ç’rast edhe është dërguar në strehimore.
Derisa një ditë më vonë, është kërkuar të bëhet ekzaminimi fizio-gjinekologjik, por edhe ekzaminimi i ADN-së në trupin e viktimës për shkak të dyshimeve se është shfrytëzuar seksualisht nga persona të ndryshëm.
“Që nga fillimi i rastit, kur e ka pranuar në qershor, ka filluar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe ajo për çka e kemi thirrur këtë konferencë është për të ju njoftuar për të gjitha veprimet që i kemi marrë në qershor dhe kanë rezultuar edhe në gusht.
Më 21 qershor ka dalë nga shtëpia rreth orës 8, nëna e saj e ka raportuar në Polici si e zhdukur. Prokurori ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore. Të nesërmen, më 22 qershor, është e gjetur e mitura dhe është intervistuar në prezencë të punëtorit social dhe është dërguar në strehimore. Drejtoria për Trafikim ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore pasi kemi pasur dyshime se është shfrytëzuar seksualisht nga persona të ndryshëm. Më 22 qershor, hetuesit kanë njoftuar Prokurorin dhe kanë paraqitur kërkesë për ekzaminim. Prokurori ka kërkuar ekzaminim të të dëmtuarës dhe është kërkuar të trajtohet në mënyrë urgjente. Më 22 qershor, e njëjta është dërguar në strehimore. Më 23 qershor, Prokurori i çështjes ka paraqitur urdhëresë për ekzaminim të ADN-së.
Hetuesit kanë paraqitur kërkesë për sekuestrim dhe ekzaminim të telefonit të viktimës. Më 24 qershor, Gjykata e ka aprovuar kërkesën e Prokurorit. Prokurori ka marrë vendim që agjencia për Forenzike të bëjë ekzaminimin e telefonit të të dëmtuarës. Më 27 qershor është bërë kërkese për tërhejqn e kamerave të moteleve ku supozohet se ka mundur të shkojë viktima. Më 7 korrik, Prokurori e ka dëgjuar të dëmtuarën. Në strehimore ka qëndruar një muaj. Më 21 korrik, është liruar nga strehimorja, me kërkesë të familjes, që kanë thënë se do të mbajë përgjegjësi për vajzën.
Më 1 shtator, ka marrë raportin lidhur me ekzaminimin e të dëmtuarës. Pas ekzaminimit, janë identifikuar dhe janë gjetur personat e përfshirë në rastin e qershorit. Pas sigurimit të provave, prokuroria në koordinim të plotë, ka arrestuar gjashtë persona, që janë dërguar në ndalim policor për 48 orë. Ndaj tyre është bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, që është aprovuar nga Gjykata.
Ndërsa me rastin e muajit gusht, me të marrë informatat e nevojshme, fillimisht janë arrestuar dy persona. Pastaj dy të dyshuarit e tjerë. Në rastin e muajit gusht është ndaluar edhe personi i pestë.
Sigurojmë qytetarët se nga muaji qershor, Prokuroria ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe po vazhdojnë hetimet në intensitet të lartë dhe personat e dyshuar ta marrin dënimin e merituar.“, tha Ulaj, raporton Gazeta Sinjali.