Ditën e djetshme tabloidi britanik “The Sun” publikoi foto të kapura nga kamerat e Sekretarisë së Shëndetësisë, ku shfaqej kreu i këtij dikasteri, Matt Hancock në momente intime me ndihmësen e tij, 43-vjeçaren Gina Coladangelo e cila është e martuar me tre fëmijë.
Në vijim të lajmit që bëri xhiron e botës dhe solli dhe rrëzimin e faqes së website-it të “The Sun” nga klikimet e shumta, përgjatë mbrëmjes është publikuar edhe videoja nga momentet e printuara në faqet e para të gazetës.
Ndërkohë, paparraz-ët e së njëjtit publikacion kanë kapur momentet pas publikimit të historisë kur Gina Coladangelo duket se paketon rrobat dhe objektet e saj personale dhe lëviz nga shtëpia bashkëshortore në Londër. Tabloidi britanik raporton se ajo nuk është kthyer në shtëpi gjatë mbrëmjes, çka sinjalizon se ajo dhe bashkëshorti i saj sipërmarrës mund të jenë ndarë ose më së paku distancuar pas zbulimit të skandalit.
Kryeministri britanik Boris Johnson raportohet të ketë pranuar kërkesën e faljes së Hancock dhe nuk pritet që ta shkarkojë, një veprim që shumëkush do e shihte si hipokrizi, teksa tashmë është e ditur që vetë Johnson ka pasur lidhje jashtë-martesore dy herë me kolege gjatë kohës që shërbente si kryetari i Bashkisë së Londrës.
Ajo që rrit përmasat e skandalit është fakti që Hancock në mënyrë specifike kishte udhëzuar britanikët që të ruanin distancat me njerëzit me të cilët nuk jetonin në një shtëpi dhe që të mos përfshiheshin në marrëdhënie seksuale me “partnerë të rinj”. Duket se të tjera rregulla kishte për zgjedhësit dhe të tjera për vete, dhe vështirë se tabloidet apo rrjetet sociale do ta harrojnë këtë histori me një kërkim faljeje.