Partia në pushtet, thotë se ka vullnet politik për ndryshimin i ligjit të pagave brenda afatit kohor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, teksa kanë mbetur edhe tre muaj kohë. Por opozita nuk është optimiste për një iniciativë të shpejtë për ndryshim të këtij ligji. Sipas opozitës, Qeveri do të zvarrisë edhe këtë detyrë, ashtu siç bënë, sipas tyre, gjithmonë.
Derisa Qeverisë së Kosovës i kanë mbetur edhe katër muaj kohë për ndryshmin ose plotësimin e disa neneve për ligjin e pagave, ligjvënësit nuk kanë ndërmarrë ende ndonjë veprim në këtë drejtim. Por deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha tha se brenda partisë ka vullnet politik për ndryshimin e tyre.
“Duhet të kemi kujdes gjatë këtij procesi sepse nëse bëjmë plotësim ndryshime që përsëri shkaktojnë ndonjë pakënaqësi nuk është mirë të procedohet pa pas analiza të mirëfillta. Natyrisht që ne jemi të gatshëm, do të kontribojmë edhe në grupe punuese”, tha ai për rtv21.
Miratimi i Ligjit të pagave kishte shkaktuar një valë reagimesh, opozita dhe sindikatat e vlerësonin si jo të duhurin. Ndërkaq pas një analize edhe Gjykata Kushtetuese vlerësoi se disa nene të këtij ligji duhet të ndryshohen, andaj i dha Kuvendit 6 muaj afat për t’i bërë ato. Por opozita thotë që edhe pas këtij vendimi nuk shpreh optimizëm për ndryshime.
“I kemi thënë edhe kur e kanë sjell në Kuvend që ka pas gabime të shumta, ka pas pabarazi, është cënu e drejta e puntorëve në sektorin publik. Qeveria përsëri është duke u vonuar për t’a sjell në Kuvend ligjin e pagave. Do të ishte mirë të sillej sa më parë në Kuvend dhe të merrën mendimet e deputëtëve për të përmirësuar të gjitha të gjeturat që i ka evidentuar Gjykata Kushtetuese”, tha Bekim Haxhiu nga PDK-ja.
Deputeti i LDK-së Armend Zemaj, tha se neglizhenca e Qeverisë do të dëmtojë administratën publike
“Janë vërejtjet e njëjta që janë thënë edhe në seancë plenare por padëgjushmëria e Qeverisë dhe mbi të gjitha edhe mosdialogu me sindikatat dhe me akterët e ndryshëm që kanë pas kundërshtime reale në atë që e ka ofru buxheti ka qenë detyruese prandaj edhe Gjykata Kushtetuese ka sjellur një vendim meritor. Por po e shohim një neglizhencë në këtë drejtim”, tha Armend Zemaj, LDK.
Ligji për Pagat në sektorin publik u dërgua në Kushtetuese nga Avokati i Popullit, pas 104 ankesave të dorëzuara nga punëtorë të fushave të ndryshme, organizata e asociacione.