Pesë personat e plagosur mbrëmë në Aktash të Prishtinës po vazhdojnë të qëndrojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, transmeton IndeksOnline.
Ata mbrëmë ishin në Emergjencë ndërsa sot janë transferuar në klinikat gjegjëse si Kardiokirurgji, Kirurgji Abdominale dhe në Ortopedi.
Policia e Kosovës ka njoftuar se po i ruan nën masën e arrestit të gjithë të plagosurit.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi ka thënë për IndeksOnline se hetimet për këtë rast janë duke vazhduar intensivisht.
“Ajo çka mund të deklarohem për momentin është se gjendja e të plagosurve është stabile, sipas informative që i kemi dhe komunikimeve me doktorët, ata janë jashtë rrezikut për jetën. Për rastin, e kemi dikë që e kemi intervistua në stacionin policor. Po i vazhdojmë hetimet”, ka thënë Gashi.
Ndërsa Endrit Shala, mjeku kujdestar në Klinikën e Kardiokirurgjisë, ku po trajtohet njëri nga pesë të plagosurit nga përleshja e mbrëmshme në Prishtinë, ka thënë se gjendja e pacientit është stabile, megjithëse ka plagë nga armë zjarri në kafaz të kraharorit dhe në parakrah.
Shala ka thënë se sipas ekzaminimeve të bëra, pacienti nuk ka nevojë për intervenime kardiokirurgjike dhe se mjafton një përcjellje e vazhdueshme e tij.
“Mbrëmë janë bërë ekzaminimet e nevojshme dhe është parë që ai ka nevojë për përcjellje, të paktën për 24 orë në klinikën tonë. Momentalisht është në gjendje stabile, ka një plagë më armë zjarri në kafaz të kraharorit dhe në parakrah, por nuk ka pasur ndonjë indikacion për intervenim kardiokirurgjik. Mjafton një përcjellje e vazhdueshme tij”, ka thënë Shala./IndeksOnline/