Me këto fjalë, Presidenti i atëhershëm i Amerikës, Bill Clinton, i ishte drejtuar botës më 1999.
Përmes tyre, ai dëshironte të njoftonte të gjithë opinionin se ushtria amerikane dhe NATO, kanë nisur bashkërisht bombardimet në Kosovë – me qëllim që të ndalin regjimin e egër të Millosheviqit që po mbyste civilë të pafajshëm atje.
Bombardimet 78 ditore, që nisën pikërisht në ditën kur presidenti i shtetit më të fuqishëm në botë e dha deklaratën e tij, i detyruan forcat serbe të largohen nga Kosova.
E ndihma vendimtare që dha Amerika në çlirimin e shtetit të tyre, para 21 vjetëve, kosovarët, po i bëjnë të mendojnë se edhe tash duhet besuar më parë asaj në dialogun Kosovë-Serbi sesa Bashkimit Evropian.
“Së pari Zotit i kofshim falë që na ka falë, të dytit Amerikës, që na ka hjek prej shkaut”, u shpreh një qytetar.
Si ky, njëjtë mendon edhe një qytetar tjetër, i cili përmend dy arsye se pse nuk i beson BE-së.
“Gjithsesi, Amerikës, ajo na ka çliruar. Nuk i besojmë BE-së sepse disa shtetet të saj nuk e kanë pranuar shtetin e Kosovës, nuk i besohet një diplomati që shteti i tij nuk e ka pranuar Kosovën”, tregoi ai.
Por jo të gjithë mendojnë kështu.
Dikush thotë se Kosova pa përkrahjen e të dyja vendeve nuk mund të ketë sukses në asnjë proces.
“Duhet të ju besojmë dyjave, pa asnjërën s`mundemi të shkojmë askund”, u shpreh ai.
Të ndarë në dysh janë edhe liderët institucional e ata partiakë në vend.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, thotë se dialogu duhet të drejtohet nga Amerika.
Në të njëjtën linjë me të janë edhe dy partitë e tjera PDK e AAK.
Ndryshe prej tyre, kryeministri Hoti është treguar më i matur, duke kërkuar bashkërendim të qëndrimeve midis këtyre dy vendeve partnere sa i përket dialogut me Serbinë.
Po kështu janë shprehur edhe në Vetëvendosje.