Ish-kapitenët, Anel Rashkaj dhe Hekuran Kryeziu, dy nga ikonat e Kombëtares së Kosovës, janë rikthyer por në role të reja në Federatën e Futbollit të Kosovës.
FFK-ja, ka njoftuar të hënën, se dyshja Rashkaj – Kryeziu, këtë herë janë rikthyer në postet e ndihmëstrajnerëve në ekipet kombëtare.
Rashkaj do të jetë ndihmës te Kombëtarja U19, si dhe pjesë e Departamentit Teknik të FFK-së kurse Kryeziut i është besuar roli i ndihmëstrajnerit te Kombëtarja U21 e Kosovës.
“Mirësevini në shtëpinë tuaj për një kapitull të ri dhe të rëndësishëm për futbollin e Kosovës”, ka shkruar FFK-ja në njoftimin e saj. Ndërkaq Presidenti i FFK-së, Agim Ademi:
“Hekurani dhe Aneli kanë dhënë shumë për Kombëtaren tonë si lojtarë dhe tani është koha që ata të vazhdojnë të kontribuojnë në role të reja.
Jam i bindur që përvoja e tyre do të jetë një aset i çmuar për të rinjtë tanë dhe zhvillimin e ekipeve tona zinxhirë të kombëtares.”
Rashkaj 35-vjeçar ka qenë pjesë e “Dardanëve” prej vitit 2014 deri në vitin 2020 duke regjistruar 14 paraqitje, ndërsa Kryeziu 31-vjeçar i ka luajtur 30 ndeshje për Kosovën nga viti 2015 deri në vitin 2023.