Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas gjithë debatit të shkaktuar nga publikimi i hulumtimit të Insajderi rreth negociatave për sigurimin e vaksinave nga Qeveria e Kosovës. Në raportim thuhet ministri Vitia kishte refuzuar nënshkrimin e një kontrate me Pfizer dhe BioNTech, derisa kjo është mohuar nga ministri Vitia.
Haxhiu e ka bërë fajtor ish-ministrin Armend Zemaj për situatën e krijuar, dhe sipas saj, Kosova është në këtë gjendje për shkak të ish-Qeverisë.
“Ne jemi në situatë të tillë për shkak neglizhencës e menaxhimit të keq nga Qeveria e kaluar, ish Ministri i së cilës sot tenton që për mospunën e tij ta bëjë përgjegjës Ministrin Vitia. Jo, qytetarët tashmë e kanë kuptuar se kush dhe për çfarë angazhohet!”, ka shkruar ajo.
Reagimi i plotë:
Tendenca për të njollosur punën dhe angazhimin e Ministrit Vitia është asgjë tjetër veçse tendencë për rrezikimin e jetës së qytetarëve me anë të publikimit të dokumenteve konfidenciale. Me interpretime qëllimshëm të devijuara nuk mund të shpaloset realiteti. E kuptoj plotësisht punën e medieve, por nuk mund të quhet “punë medie” nëse publikon diqka që rrezikon furnizimin me vaksina.
I lus mediet e gazetarët që kanë qëllime të mira që të jemi bashkë në këtë përpjekje me qëllim të shpëtimit të jetëve të qytetarëve tanë. Sigurimi i vaksinave është top prioritet dhe për këtë po angazhohet ditë e natë Qeveria.
Ne jemi në situatë të tillë për shkak neglizhencës e menaxhimit të keq nga Qeveria e kaluar, ish Ministri i së cilës sot tenton që për mospunën e tij ta bëjë përgjegjës Ministrin Vitia. Jo, qytetarët tashmë e kanë kuptuar se kush dhe për çfarë angazhohet!