Pas publikimit të rezultateve të Regjistrimit të Popullsisë nëpër komunat e Kosovës, ka rezultuar një numër i madh i banesave dhe shtëpive të pabanuara, raporton Gazeta Sinjali.
Kryeqyteti i Prishtinës është i mbushur me qytetarë të komunave të tjera, por si duket të gjithë udhëtojnë dhe nuk banojnë në kryeqytet pasi që në bazë të statistikave del që 30.7 për qind e banesave dhe shtëpive janë të pabanuara.
Përqindja më e lartë është në Komunën e Dragashit, pastaj vjen Istogu dhe Suhareka por edhe shumë komuna të tjera ku gati gjysma e shtëpive dhe banesave janë të pabanuara.
Befasi është edhe Suhareka e cila pavarësisht se njihet si një vend mjaft i industrializuar, të pabanuara i ka 40.7 për qind të banesave dhe shtëpive.
Edhe Komuna e Klinës ka një numër të madh të shtëpive dhe banesave të pabanuara (40.4%).
Vitia përmbyll top-pesëshen e komunave që kanë më së shumti njësi banesore të pabanuara me 39.2%.
ASK-ja thotë se përveç migrimit jashtë Kosovës, është vërejtur edhe migrim brenda vendit, që ka shkaktuar largim të banorëve nga zonat kufitare të Kosovës drejt qyteteve më në qendër.
Sipas procesit të regjistrimit nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), 1,589,659 banorë është numri i popullsisë në Kosovë.
Procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, ka nisur më 5 prill. Rezultatet preliminare të regjistrimit pritet të publikohen brenda tre muajve.
Këtë herë, kanë qenë shtatë pyetësorë që duhet të plotësohen. Në këtë regjistrim, është shtuar edhe pyetësori për dëmet e luftës dhe pyetësori për regjistrimin e bashkatdhetarëve.