Bayern Munich është kurorëzuar kampion i Ligës së Kampionëve për sezonin 2019/2020, pas triumfit prej 1-0 në finalen e Lisbonës kundër Paris Saint-Germainit.
Ky është trofeu i gjashtë i bavarezëve në garën më të madhe evropiane për klube duke u barazuar kështu me Liverpoolin, ndërsa para tyre ndodhen vetëm Milani (7) dhe Real Madridi (13).
Mirëpo, asnjëherë në historinë e gjatë të kësaj gare nuk ka ndodhur që një skuadër ta kalojë gjithë sezonin duke i fituar të gjitha ndeshjet.
Të zgjedhurit e Hansi Flick i kanë zhvilluar 11 ndeshje në edicionin 2019/2020 në Ligën e Kampionëve dhe i kanë fituar të gjitha.
Rrugëtimi që njihte vetëm fitore filloi në shtator të vitit 2019 me një triumf prej 3-0 ndaj Crvena Zvezdas dhe deri në fund, Bayerni shënoi 43 gola. Vetëm Barcelona ka shënuar më shumë gola brenda një sezoni na garën më të madhe evropiane për klube.
Në edicionin 1999/2000, katalunasit kishin realizuar 45 gola (por kishin zhvilluar 16 ndeshje, ndërsa bavarezët vetëm 11). /Telegrafi/