Kuvendi i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK) ka vendosur që z. Shaqir Palushi të shpallet Anëtar Nderi i PRAK, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në ndihmën ndaj pacientëve dhe përkushtimin e tij në mbështetjen e tyre.
Z. Palushi, një afarist i njohur dhe humanist i shquar, ka ndihmuar me iniciativa individuale shumë pacientë në gjetjen e shërimit, duke iu mundësuar qasje më të lehtë në trajtimet e nevojshme shëndetësore. Përveç kësaj, ai ka themeluar kompaninë Freesia Paper Factory, një fabrikë e veçantë në Lipjan që punëson vetëm persona me aftësi të kufizuara. Kjo fabrikë, e inauguruar në maj të vitit 2023 nga Fondacioni “Golden Eagle”, prodhon letra higjienike dhe synon të rrisë kapacitetet e prodhimit, si dhe numrin e të punësuarve.
Me këtë titull, PRAK i shpreh mirënjohje dhe falënderim për angazhimin e tij të palodhshëm në mbështetje të pacientëve dhe personave me aftësi të kufizuara. Jemi të bindur se bashkëpunimi me të do të sjellë edhe më shumë mundësi për pacientët në nevojë dhe një shëndetësi më të drejtë për të gjithë.