Përzgjedhësi i Kosovës, Primoz Gliha, shfrytëzoi rastin dje në ndeshjen ndaj Andorrës që të inkuadroj disa emra të rinj në fushë meqenëse Kosova praktikisht ishte e ‘dorëzuar’ nga gara për kualifikim në EURO 2024.
Emra si Kreshnik Hajrizi, Lumbardh Dellova, Qëndrim Zyba, Altin Zeqiri morën minutat e para në këmbët e tyre me fanellën e Kosovës.
Kosova fitoi 3:0 në udhëtim ndaj Andorrës, ndeshje kjo e cila ishte e vlefshme për grupin I.
Njëri ndër protagonistët kryesor në këtë fitore të “Dardanëve”, ishte edhe Altin Zeqiri.
Zeqiri u fut në lojë nga banka rezervë në minutën e 75-të të takimit duke zëvendësuar Florent Muslijën.
Nuk vonoi shumë dhe ai shënoi golin e tij të parë me Kosovën dhe të tretin për “Dardanët” në këtë ndeshje duke vulosur fitoren e thellë 3:0.
Zeqiri shfyrtëzoi për mrekulli një pasim nga Rashica për të tundur rrjetën e portierit kundërshtar, saktësisht në minutën e 83-të të sfidës.
23-vjeçari i cili mund të luajë në të dy krahët e sulmit, momentalisht është pjesë e ekipit Çaykur Rizespor që bën gara në Turqi.
Ai është paraqitur në shtatë ndeshje këtë edicion të ri të garave me fanellën e Rizespor, por ende nuk ka arritur ta gjejë dot rrugën e rrjetës.
Një fillim më të mbarë Zeqiri nuk do të mund ta kishte paramenduar as në ëndrrat e tij më të çmendura dhe tani shpresojmë që ai do të vazhdojë me formë pozitive në nivel klubi dhe të njëjtën ta shfaq në fushë me Kosovën në grumbullimin e ardhshëm.