Java e fundit e sezonit vjeshtor në Ligën e Parë të Maqedonisë, e cila luhet më 8 dhjetor në ora 13:00, premton emocione të jashtëzakonshme dhe vendime të rëndësishme për kreun e tabelës, njofton Telegrafi.
E gjithë vëmendja në javën e 18-të është te përballja mes Shkëndijës dhe Gostivarit, një ndeshje vendimtare që pritet të përcaktojë liderin e tabelës për sezonin vjeshtor. Të dy ekipet janë në formë të shkëlqyer, pa asnjë disfatë në pesë ndeshjet e fundit, ku secila ka regjistruar katër fitore dhe një barazim.
Historia e përballjeve mes tyre shton dramatikën e kësaj sfide. Shkëndija humbjen e saj të fundit e ka përjetuar pikërisht ndaj Gostivarit, më 25 shtator (3-1). Nga ana tjetër, Gostivari është mundur për herë të fundit më 20 tetor, në një përballje të ngushtë ndaj Rabotniçkit (1-0). Ky bilanc i bën dy ekipet rivalë të denjë për titullin e kampionit të gjysmësezonit.
Në lojë është edhe Sileksi, që ndodhet vetëm dy pikë larg Shkëndijës dhe i barazuar me Gostivarin. Sileksi këtë javë përballet me Vardarin, një ekip që ndodhet në fundin e tabelës. Sileksi do të ndjekë me interes rezultatin e ndeshjes Shkëndija-Gostivari, me shpresën për të përfituar në rast të ndonjë barazimi.
Në këtë javë luhen edhe ndeshje të tjera kyçe, ku veçohen duelet Besa – Shkupi dhe Struga – Voska.
Në sfidën Besa – Shkupi, përballen dy ekipe me ambicie të ndryshme. Besa, që ndodhet pranë zonës së rrezikshme, do të kërkojë me çdo kusht fitore për të mbajtur gjallë shpresat e saj për mbijetesë. Nga ana tjetër, Shkupi, që vjen pas një fitoreje të madhe ndaj Strugës (3-1), kërkon të vazhdojë serinë pozitive dhe të ngjitet në renditje.
Kampioni aktual Struga Trim-Lum përballet me një tjetër ekip shqiptar, Voska Sport, që gjithashtu synon të mbyllë sezonin vjeshtor me rezultate pozitive. Pas humbjes ndaj Shkupit, Struga do të kërkojë të rikthehet te fitorja për të forcuar pozitat e saj, ndërsa Voska synon së paku të merr pikë dhe të mos e mbyll gjysmësezonin e fundit në tabelë.
Java e 18-të pritet të sjell emocione të mëdha, me ndeshjet që vendosin shumë për kryeun dhe garën për mbijetesë, ku padyshim që të gjitha përballjet premtojnë spektakël. A do të jetë Shkëndija apo Gostivari kampioni i vjeshtës, apo do të përfitojë Sileksi? Përgjigjja do të mësohet të dielën pasdite që do të jetë e mbushur me adrenalinë.
Java e 18-të (08.12.2024, ora 13:00):
Shkëndija – Gostivari, Besa – Shkupi, Struga – Voska Sport, Tikveshi – AP Brera, Rabotniçki – Pelisteri dhe Sileksi – Vardari.