Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Vedat Murriqi ka shkaktuar së fundmi polemika në rrjetin social “Instagram” për shkak të miqësisë me lojtarin serb të Lazios, Milinkoviç Saviç.
Pas fitores së Lazios kundër Napolit me rezultatin 2-0, ku Murriqi u aktivizua për rreth 25 minuta, ai postoi dy foto në “Instagram”, sipër së cilave shkruante: Jam shumë i lumtur që jam rikthyer dhe që kam kontribuuar në skuadër. Tri pikë shumë të rëndësishme Forca shqiponja!
Nuk ka vonuar komenti i mesfushorit serb, Milinkoviç Saviç, në gjuhën mëmë. “Ajde srce” (Forca zemër) – shkroi ai, duke marrë një përgjigje nga shqiptari, po në gjuhën serbe. “Ajmo”, që në shqip përkthehet “Forca”.
Ka qenë pikërisht ky dialog online mes dy futbollistëve që ka sjellë reagime të forta. Me dhjetra ndjekës i kanë kërkuar ish-lojtarit të Fenerbahçes të mos shkruajë dhe komentojë në serbisht.