Teksa koronavirusi po përhapej me shpejtësi në muajt shkurt dhe mars, shumë qeveri vendosën masa të rrepta karantine. Përmes një përpjekjeje masive publike, këto vende kanë qenë të suksesshme në ngadalësimin e pandemisë, shkruan Forumi Ekonomik Global.
Duke kombinuar qasje të ndryshme të shëndetit publik, vende si Sllovenia dhe Zelanda e Re, e kanë zhdukur virusin brenda kufijve të tyre. Vende të tjera, përfshirë Britaninë e Madhe, kanë bërë një përparim të rëndësishëm në frenimin e përhapjes së sëmundjes. Megjithatë, karantinat kanë çuar në humbje të konsiderueshme ekonomike dhe sociale, në vendet ku janë aplikuar masa të rrepta për distancimin social. Si qeveritë ashtu edhe publiku, tani janë të prirë të fillojnë lehtësimin e kufizimeve dhe rikthimin e jetës normale.
Me zbutjen e rregullave të izolimit, kanë nisur edhe paralajmërimet për një rritje të mundshme të rasteve të COVID-19 – e quajtur valë e dytë. Vala e dytë e pandemisë së gripit spanjoll në vitet 1918-1920 ishte veçanërisht shkatërruese, siç ishte edhe vala e dytë e epidemisë H1N1 në vitet 2009-2010. Pra, çfarë mund të bëhet për të shmangur një valë të dytë të COVID-19?
Që virusi të përhapet, ai ka nevojë për njerëz të infektuar dhe një transmetim të suksesshëm. Këta faktorë maten me lehtësi nga numri i riprodhimit R, që është numri mesatar i rasteve të reja të virusit të shkaktuara nga një individ i infektuar. Kur vlera e R është mbi një, kjo do të thotë se numri i rasteve është në rritje, ndërsa kur është nën një, do të thotë se rastet janë në rënie. Para bllokimit, vlera e R për koronavirusin ishte midis dy dhe katër.
Vende si Kina, Koreja e Jugut, Zelanda e Re, Mbretëria e Bashkuar dhe shumica e vendeve europiane, tani e kanë ulur këtë vlerë nën një. Në vende të tjera, si Suedia ose Rusia, vlera e R mbetet afër ose mbi një, duke reflektuar rritjen e numrit të rasteve. Marrëdhënia midis sjelljes së popullsisë dhe vlerës së R është e ndërlikuar, por ne sërish mund ta përdorim këtë koncept për të ilustruar se si mund të shfaqet vala e dytë.
Për sa kohë që ka njerëz të prekur dhe të infektuar në popullatë, virusi mund të përhapet. Po grumbullohen gjithnjë e më tepër prova që tregojnë se vala e parë e epidemisë rezultoi në një imunitet të kufizuar, nën nivelin e imunitetit në masë. Ekzistojnë gjithashtu grupe të popullsisë ku virusi jo vetëm që mbijeton, por po vazhdon të përhapet. Transmetimi në azile tani përbën një përqindje të madhe të rasteve në shumë vende.
Ndërkohë që masat e bllokimit lehtësohen, njerëzit kanë filluar të bashkëveprojnë më tepër. Kjo mund të rezultojë në rritjen e vlerës së R. Por është e rëndësishme që vlera e R të mbahet nën 1 ose e barabartë me 1, siç tregohet në diagramin më poshtë.
Por edhe një rritje relativisht modeste e R në 1.2 do të rezultonte në një shpërthim të madh të sëmundjes duke shkaktuar valën e dytë, që tregon sa i rëndësishëm është zbatimi i masave të sigurisë.
Përgjigjja ndaj valës së dytë kërkon përsëritjen e masave të bllokimit, siç tregohet më poshtë. Dhe pavarësisht se deri tani shoqëria është bindur ndaj kufizimeve, lodhja nga një karantinë e dytë mund ta bëjë më të vështirë rivendosjen e rregullave të tilla të rrepta.
Epidemia mund të
Epidemia mund të vazhdojë në vjeshtë dhe në dimër kur mund të përhapet edhe gripi sezonal. Megjithëse duket se virusi SARS-CoV-2 nuk ndikohet shumë nga moti, sistemi i kujdesit shëndetësor mund të mbingarkohet nëse COVID-19 dhe gripi godasin në të njëjtën kohë. Nga ana tjetër, masat parandaluese kundër virusit SARS-CoV-2 (si maskat dhe larja e duarve) mund të zvogëlojnë përhapjen e virusit të gripit.
Si përfundim, virusi mund të pësojë edhe mutacion duke rezultuar në një infeksion edhe më të rëndë. Një mutacion i tillë mund të ketë bërë që vala e dytë e gripit spanjoll të ishte veçanërisht e rëndë. Nëse do të ndodhte diçka e ngjashme edhe me virusin SARS-CoV-2, epidemia që do të rezultonte, do t’ia kalonte përhapjes aktuale edhe sikur vlera e re e R të ishte vetëm katër, krahasuar me 10-12 për shytat ose 12-18 për fruthin. Parandalimi i përhapjes në masë të shytave dhe fruthit realizohet vetëm falë vaksinimit. /
Gazeta Sinjali