Edon B., 28-vjeçar, dyshohet se e theri për vdekje vjehrrin e tij, Ali K., 52-vjeç, në lagjen Emshir të Prishtinës.
Tragjedia familjare ndodhi të mërkurën në mbrëmje në rrugën ‘Ali Vitia’, bëri të ditur Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit të policisë, Ali K., i goditur me thikë nga bashkëshorti i vajzës së tij, vdiq në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pasi nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Ndërkaq, i dyshuari u arratis menjëherë nga vendi i ngjarjes dhe ende nuk është lokalizuar nga policia.
“Dyshohet se pas një mosmarrëveshje, i dyshuari mashkull kosovar ka sulmuar-therur me thikë babanë e bashkëshortes së tij (vjehrrin), viktimën mashkull kosovar i cili duke mos u përballuar plagëve të marra ka ndërruar jetë në QKUK, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar mjeku”, tha policia.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.