Një ngjarje e trishtë ka ndodhur mëngjesin e së dielës në Podujevë, ku dy gra janë arrestuar nën dyshimet se janë përfshirë në vrasje të një foshnje gjatë lindjes. Gruaja shtatzënë është njëra nga të arrestuarat e cila dyshohet se ka kryer abort të kundërligjshëm dhe më pas ka kërkuar ndihmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se dy të arrestuarat janë nënë e bijë, të cilat po dyshohen se janë përfshirë në këtë rast tronditës.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se vajza 19-vjeçare në bashkëkryerje me nënën e saj, pasi e ka lindur foshnjën në banjon e shtëpisë derisa ka qenë rreth 7-muajshe – dyshohen se e kanë hedhur në tualet.
Për rastin kanë folur edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe nga Policia.
“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave (të gjinisë femërore), për shkak të dyshimit se të njëjtat kanë kryer veprat penale “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes” dhe “Ndihma në vrasjen e foshnjës gjatë lindjes”, sipas KPRK-së” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
“Raportohet se në QKUK ka kërkuar tretman mjekësor e dyshuara femër kosovare e cila dyshohet se ka qenë shtatëzënë dhe ka abortuar në mënyrë të paligjshme. Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuara dhe me vendim të prokurorit dërgohen në mbajtje” – njoftoi Policia.
Kujtojmë se sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, nëna që privon nga jeta foshnjën e vet gjatë lindjes apo menjëherë pas lindjes, derisa te ajo vazhdon çrregullimi i shkaktuar nga lindja, dënohet me burgim prej tre muaj deri në tri vjet./Sinjali/