Qendërmbrojtësi i Kombëtares së Kosovës dhe skuadrës së Ballkanit, Lumbardh Dellova pritet të jetë transferimi i dytë te Universitatea Craiova në afatin kalimtar të janarit.
Mediumet rumune kanë raportuar të enjten se drejtuesit e Craiovas janë tërësisht të fokusuar te transferimi i Dellovës, të cilin po synojnë ta mbyllin me sukses sa më shpejtë që të jetë e mundur.
Dellova, i cili është pjesë e Ballkanit të Suharekës, po shihet si përforcim i duhur në mbrojtje, pasi mund të luajë në qendër apo edhe në krahun e djathtë.
Thuhet se Dellova po pëlqehet shumë nga trajneri Ivaylo Petev që po insiston në transferimin e tij pasi ka kërkuar të forcohet në mbrojtje gjatë këtij muaji.
Dellova 25-vjeçar ka kontratë me Ballkanin deri në fund të këtij edicioni, ndërsa vlera e tij në treg është 600 mijë euro. Ai, gjithashtu ka regjistruar edhe shtatë paraqitje me Përfaqësuesen e Kosovës.
Aktualisht, Universitatea Craiova renditet e treta në kampionatin e Rumanisë me 34 pikë të mbledhura, dhjetë më pak se lideri FCSB.