Bayern Munichu do ta mirëpresë sonte Real Madridin në stadiumin “Allianz Arena” në përballjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Dy gjigantët e futbollit evropian u treguan të suksesshëm në çerekfinale, derisa gjiganti bavarez e eliminoi Arsenalin e ai spanjoll – Manchester Cityn.
Natyrisht, dy klubet e mëdha evropiane e njohin mjaft mirë njëri-tjetrin pasi janë përballur shpesh mes vete në fazat eliminuese në Shekullin 21, shkruan “Gazeta Express”.
Sidoqoftë, kjo do të jetë përballja e parë e tyre që nga gjysmëfinalja e sezonit 2017/18, ku “Los Blancos” kishin avancuar për në finale pasi kishin triumfuar me rezultat të përgjithshëm 4:3.
Kanë mbetur pak lojtarë “të mbijetuar” nga ato dy duele, ndërsa tash është koha për ta kërkuar një tjetër finale të madhe të Championsit.
Reali dhe Bayerni janë dy prej klubeve më të suksesshme në garat evropiane në 20 vjeçarin e fundit, ndërsa konsiderohen si një trashëgimi e Ligës së Kampionëve.
Bayernit nuk i shkuan punët mirë në Bundesligë dhe në këtë edicion nuk arriti ta fitonte titullin e kampionit.
Prandaj, krejt fokusin e ka tek evenimenti më i rëndësishëm i futbollit evropian.
Bavarezët duan ta krijojnë një epërsi solide në lojën e parë që do ta luajnë në shtëpi.
Nga ana tjetër, “Mbretërit” po shkojnë me hapa të sigurt drejt titullit të kampionit në La Liga.
Ndërkohë, motivi i tyre u rrit shumë pasi e eliminuan kampionin aktual evropian dhe favoritin e këtij edicioni, Manchester City, në çerekfinale.
Reali e kërkon kështu titullin e 15-të të Championsit, ndërsa Bayerni aktualisht i ka 6.
“Los Blancos” konsiderohen si favoritë të lehtë, por në këtë garë nuk i dihet kurrë.
Ekipet nuk kanë mungesa të theksuara, prandaj edhe na pret një spektakël futbolli mes dy gjigantëve të futbollit evropian.
Ndeshja mes Bayernit dhe Realit do të luhet sonte në stadiumin “Allianz Arena” duke filluar nga ora 21:00. /Gazeta Express/