Prishtina ka barazuar me rezultat 2-2 në shtëpi ndaj Suharekës në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Ekipi i Jean Michel Cavallit nuk ka arritur ta nis sezonin pranveror me fitore, pasi është ndalur në shtëpi ndaj Suhareka e Qëndrim Kidës.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të vendasve, të cilët krijuan shumë raste, por shënuan vetëm një herë, po aq sa edhe mysafirët.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 37-të me anë të Leotrim Kryeziut, i cili shënoi për epërsinë 1-0, ndërsa Fitim Susuri (44’) dërgoi ekipet në pushim me rezultat të barabartë 1-1.
Në pjesën e dytë, Prishtina ishte përsëri skuadër më e mirë, por mysafirët befasuan duke kaluar në epërsi dhe vendasit nuk arritën më shumë se golin e barazimit.
Ishte shënuesi më i mirë i kampionatit, Mevlan Zeka (57’), i cili shënoi nga afërsia për 1-2, ndërsa Kryeziu (80’) me golin e dytë personal çoi shifrat në 2-2 dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar.
Pas këtij barazimi, Prishtina e sheh veten në pozitën e katërt me 28 pikë, ndërsa Suhareka renditet e pesta me 26 pikë.