Mërgimtarët suharekas kanë nisur t’i kthejnë sytë kah resurset vendore të turizmit. Është zona malore e Bjeshkës së Bukoshit dhe Dollocit ajo që po i josh mërgimtarët për të investuar në kamp-shtëpiza alpine
Sipas regjistrimit të popullsisë që u mbajt në Kosovë në vitin 2011, Suhareka doli të jetë komuna me numrin më të madh të mërgimtarëve. Nga 89.000 banorё sa ka gjithsej kjo komunë, 28.064 (ose 31.53 për qind) i ka nё mërgim, nё vende tё ndryshme tё Evropës dhe botës.
E njohur dikur për ekonominë e saj të begatë, me fabrikën shumë të suksesshme “Ballkan” dhe me ndërmarrjen bujqësore e vreshtare “Progres”, Suhareka pas luftës doli tërësisht e shkatërruar, ndërkaq ekonomia e saj nuk arriti të rimëkëmbej, përkundrazi, procesi i privatizimit veç sa e thelloi krizën e papunësisë.
Kjo, ndërkaq, sipas ekspertëve, është edhe arsyeja kryesore pse suharekasit ia mësynë rrugëve të kurbetit viteve të pasluftës, dhe atë kryesisht drejt Italisë, Francës dhe Sllovenisë.