Emir Sahiti,pritet që karrierën ta vazhdojë në Gjermani, saktësisht te skuadra e Hamburgut. Lajmi është bërë i ditur nga mediumet kroate të hënën. “Slobodna Dalmacija” ka raportuar se është vetëm çështje kohe përpara se Sahiti të zyrtarizohet te Hamburgu.Mësohet se krerët e ekipit gjerman që bën gara në Bundesligën 2, ka kohë që janë në negociata si me Hajdukun e Splitit ashtu edhe me Sahitin.
Për transferimin e Sahitit, Hamburgu pritet të paguajë rreth dy milionë euro. Skuadra e Hajdukut gjendet në Austri, ku po e zhvillon fazën përgatitore. Dhe, në kuadër të këtyre përgatitjeve, Hajduku më 29 qershor do ta luajë një miqësore me Hamburgun, ku edhe pritet të zyrtarizohet marrëveshja për Sahitin. Edhe në Gjermani kanë raportuar se futbollisti është i gatshëm ta vazhdojë karrierën te skuadra e Hamburgut.“Gjiganti gjerman Hamburgu ka shprehur interesim për shërbimet e Emir Sahitit.
Informacionet e para janë se reprezentuesi i Kosovës është shumë afër transferimit te Hamburgu dhe marrëveshja mes palëve është afër finalizimit”, ka shkruar gazeta kroate.Hamburgu është një prej skuadrave më të mëdha të Gjermanisë, kurse prej sezonit 2018/19 luan në kategorinë e dytë. Për herë të parë në histori të klubit Hamburgu ra nga Bundesliga në sezonin 2017/18 duke mos arritur të mbijetojë. Për tre sezone rresht në kategorinë e dytë, Hamburgu nuk ka arritur ta sigurojë kthimin në elitë.Në fakt, Hamburgu luajti në ndeshjen e plejofit për kthim në Bundesligë, por u mposht nga Hertha e Berlinit pas dy ndeshjeve me rezultatin e përgjithshëm 3:2. Për sezonin e ri, Hamburgu po planifikon të futet fuqishëm në garë për dy pozitat e para, që sigurojnë automatikisht kthimin në Bundesligë. Për këtë arsye, ekipi gjerman po synon të përforcohet dhe njëri prej lojtarëve që po shihet si i rëndësishëm në këtë mision është edhe Sahiti.
Sulmuesi i krahut, ka pasur një sezon fantastik te Hajduku dhe ishte në mesin e lojtarëve më të dalluar të ekipit. Ai e ndihmoi Hajdukun ta fitojë Kupën e Kroacisë, ndërsa në 39 paraqitje në të gjitha garat, Sahiti kontribuoi me shtatë gola e pesë asistime. Para fillimit të këtij sezoni, Sahiti u kthye te Hajduku pas shkëlqimit te Shibeniku ku ishte i huazuar. Sezoni 2021/22 ishte i pari për Sahitin në ekipin e parë të Hajukut, ku vlerësohet lart.