Është zbuluar jahti më i madh në botë, dhe është aq i madh sa që kanë filluar ta quajnë “strofull e jahteve të vogla”.
Bëhet fjalë për “Somnio” që pritet të futet në përdorim në vitin 2024, dhe do të jetë 222 metra e gjatë, transmeton Telegrafi.
Vetëm pak persona të privilegjuar, do të kenë rastin të shijojnë pamjet nga jahti që kushton 500 milionë euro. Kjo pasi do të shërbej si “strehë” për njerëzit e pasur, duke ofruar apartamente luksoze brenda saj me një çmim fillestar prej 9.5 milionë euro.
Identiteti i pronarëve të tyre do të mbetet i fshehtë, e shansin për të blerë një nga apartamentet do të mund të bëhet përmes letrave rekomanduese nga miqtë apo ndonjë bashkëpunëtor.
Fatlumët e 39 apartamenteve do të kenë shansin të shijojnë peizazhet në oqean, por edhe nga brendësia e jahtit më të madh në botë, që është dizajnuar nga kompania me seli në Londër, Winch Design dhe Tillberg Design nga Suedia.
Apartamentet do të jenë të shpërndara në gjashtë kate, secili do të ketë gjithçka që i nevojitet një familje. Kuzhinë personale, palestër, librari, hapësirë për ngrënie, veshje dhe dhoma luksoze gjumi.
Pronarët e apartamenteve gjithashtu do të kenë qasje në bodrumin e përbashkët të verërave – ku në këtë bodrum do të jenë mbi 10.000 shishe të llojeve të ndryshme të verërave.