Kompania e dytë më madhe e telefonisë mobile në Kosovë “IPKO”, i ka vënë në shitje 100 % të aksioneve që i ka në posedim Telekomi i Sllovenisë, shkruan Gazeta Metro.
Gazeta Metro ka mësuar ekskluzivisht se “Telekom Srbija” ka ofruar 155 milionë për blerjen e kompanisë “IPKO” në Lubjanë.
Nga 10 ofertat e pranuara, Metro mëson se “Telekom Srbija” ka ofruar shumën më të lartë për blerjen e kompanisë “IPKO”.
“Telekom Srbija” është kompani e afërt me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucic dhe zyrtarët e partisë së tij “Srpska Napredna Stranka” (SNS).
Po ashtu kjo kompani serbe ka shtrirjen më të madhe në gjithë territorin e Serbisë, ajo tregun e saj e ka zgjeruar edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Austri.
Kujtojmë se në Mars të 2018-ës Telekomi Slloven u bë pronari i vetëm i IPKO Telecommunications pasi bleu edhe 6.89% të aksioneve të cilat nuk i kishte në pronësi.
Sipas grupit të Telekomit Slloven, shitja është pjesë e strategjisë së kompanisë 2019-2023 për të konsoliduar veprimtarinë e saj ose përmes zgjerimit ose përmes shitjes së investimeve në tregjet ku operon.//gazetametro.net