Një infermier është therur me thikë sot në QKUK, ka konfirmuar Policia e Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar për KOHË-n zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi.
“Sot, më 26.09.2020, në ora 14:35, policia është njoftuar për një rast ‘therje me thikë’ që ka ndodhur në QKUK, njësitet policore kanë dal në vend-ngjarje dhe janë duke e trajtuar rastin, për informata tjera u njoftojmë me kohë”, ka thënë Bajrami.
E për këtë therje ka reaguar edhe Sindikata e infermierëve të Kosovës, e cila dënon ashpër sulmin dhe plagosjen e infermierit të Urologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Nuk është hera e parë që ndodhin raste të tilla ndaj infermierëve. Ne ju bëjmë thirrje organeve të sigurisë që sa më parë të merren me rastin dhe kryerësit të marrin dënimin e merituar. Poashtu ju bëjmë thirrje policisë, që të ndërmarr masa të menjëhershme, në mbrojtje të infermierëve, që raste të tilla mos të ndodhin më kurrë”, thuhet në reagimin e Sindikatës në Facebook.
Gjithashtu është bërë thirrje për protestë.
“Sindikata e infermierëve të Kosovës, ju bën thirrje të gjithë infermierëve, që janë tani në punë, që të mblidhen menjëherë para Emergjencës në QKUK, në shenjë proteste për plagosjen e infermierit F. Nga Klinika e Urologjisë”, thotë Sindikata.
E për këtë rast ka reaguar edhe QKUK-ja përmes një postimi në Facebook, që ka bërë të ditur se është sulmuar F.B., i cili do t’i nënshtrohet një intervenimi kirurgjik.
“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, është njoftuar se sot në vendin e tij të punës është sulmuar me thikë, në Klinikën e Urologjisë, infermieri F.B. Sulmi ka ndodhur, pas orë 14.00, derisa infermieri po kryente punën e tij. Infermieri pritet t’i nënshtrohet intervenimit kirurgjik. Për rastin është informuar edhe Policia e Kosovës.
ShSKUK shpreh indinjatën e thellë për këtë rast dhe dënon ashpër sulmet ndaj mantelbardhëve të cilat janë të pa pranueshme.
“Ofendimet, dhuna, e deri tek sulmet fizike, të tilla si ky i ditës së sotme ndaj mantelbardhëve ka pasur në vazhdimësi, andaj ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë punën e mantelbardhëve, ndërsa sulmuesit e tillë të marrin përgjigjen e merituar nga organet kompetente. Është koha e fundit që sulmet e tilla të ndalen njëherë dhe përgjithmonë ndaj punëtorëve shëndetësorë”, thuhet në reagim.