Përpara sfidës së madhe me Kosovën ku do të diskutohet ekipi që do të mbërrijë në finalen e madhe që të ofron një biletë europiani, në Maqedoninë e Veriut zgjedhin që të provokojnë disi kundërshtarin dhe t’i tregojnë muskujt. Këtë herë është legjenda e Vardarit, Vasil Ringov i cili kthehet shumë kohë mbrapa dhe kujton ndeshjet me Prishtinën.
“Atëherë kanë qenë kohë shumë të mira dhe kemi pasur një ekip të shkëlqyer. Veçanërisht më kujtohet 18 nëntori i 1984 në Shkup kur ne mundëm Prishtinën 5-0. Ishte një ndeshje mjeshtërore nga ana jonë, më e mira që kemi zhvilluar në ato vite. Dhe Prishtina ishte një ekip shumë i mirë me Vokrin dhe shumë yje të tjerë.
Por Vardari e ka mundur rregullisht Prishtinën, sidomos në Shkup. Më kujtohet shumë mirë që në atë ndeshje në Gradski e gjithë tribuna e veriut dhe pjesa lindore ishte me tifozët e Prishtinës që u larguan nga stadiumi që kur rezultati shkoi 3-0 për ne.
Me këto fjalë nuk dua të fus në presion futbollistët tanë para ndeshjes me Kosovën. Unë besoj se ata kanë cilësi, thjeshtë duhet të japin më të mirën e tyre dhe natyrisht të kenë përqendrim. Këto ndeshje luhen dhe fitohen vetëm nëse jeni i përgatitur mirë psikologjikisht”, ka thënë Ringov. /Sport Ekspres