Trajneri i Portugalisë, Fernando Santos, ka thënë lojtarët e tij ndihet të pikëlluar dhe të zhgënjyer, pas largimit të hershëm nga Euro 2020 si pasojë e disfatës 1:0 nga Belgjika, duke thënë se ishin të bindur se do ta mbronin kurorën evropiane.
Thorgan Hazard e shënoi golin e vetëm dhe të triumfit për Belgjikën në Estadio de La Cartuja, për ta dërguar skuadrën e Roberto Martinezit në çerekfinale, raporton Gazeta Express.
Djajtë e kuq belgë e caktuan një çerekfinale me Italinë më 2 korrik në Munih me vetëm një goditje në kornizën e portës portugeze, e cila doli të ishte e mjaftueshme për ta.
Portugalia i pati mundësitë e veta, sidomos në çastet e fundit të takimit kur goditja e fuqishme me kokë e Dias u ndal nga portieri Thibaut Courtois, para se Guerrero ta godiste shtyllën pak çaste më vonë.
Duke folur pas ndeshjes, Santos tha: “Ne jemi të zhgënjyer dhe të trishtuar. Disa lojtarë të mi po qajnë në zhveshtore. Ata dhanë gjithçka. Belgjika i kishte gjashtë goditje, njëra u fut në rrjetë. Ne i kishim 29 goditje dhe e goditëm shtyllën dy herë. Humbja është humbje. Sinqerisht, nuk kam shumë fjalë për t’i thënë tani”.
Ai nënvizoi se ekipi portugez besonte fuqishëm se do ta fitonte Euro 2020 në përpjekje për ta mbrojtur kurorën evropiane që e fitoi më 2016.
“Ne dëshironim dhe besonim. Ne besonim dhe ishim të bindur se do ta arrinim finalen dhe do të fitonim. Nuk ka drejtësi dhe padrejtësi, e pranuam një gol dhe nuk ia dolëm ta shënonim asnjë gol”, shtoi ai.