Trupi i pajetë i 24-vjeçares nga Palestina, Rayyan Alwan, e cila u vra nga babai i saj, vijon të mbetet në morg, pasi asnjë prej familjarëve të saj nuk është paraqitur pranë Policisë së Shtetit për tërheqjen e kufomës dhe kryerjen e ceremonisë mortore.
Policia e Shtetit është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane për të siguruar informacione mbi autorin e dyshuar, Fadi Alwan. Sipas të dhënave të siguruara deri më tani, ai nuk ka hyrë në territorin gjerman, pasi itinerari i lëvizjes së tij tregon se destinacioni i fundit ka qenë Libani.
Lidhur me motivin e krimit, policia ka ngritur dyshime bazuar në letër-porositë e mbërritura nga homologët e huaj, ku përmendet një konflikt mes babait dhe vajzës. Po ashtu, sipas autoriteteve, Fadi Alwan ishte denoncuar disa herë më parë për dhunë në familje.
Hetimet e deritanishme tregojnë se vrasja dyshohet të ketë ndodhur më 22 shkurt, pasi në atë datë kamerat e sigurisë kanë regjistruar Fadi Alwan duke dalë nga banesa e marrë me qira dhe duke u nisur drejt aeroportit. Ekspertët mjekoligjorë, bazuar në vëzhgimin e kufomës, sugjerojnë se mes babait dhe vajzës ka pasur një përleshje, pasi plagët e konstatuara kanë një thellësi prej rreth 15 cm.