Një 26 vjeçare këmbëngul se jeta e saj është marrë peng në distancë nga ish i fejuari që i kërkon rikthimin tek ai, përmes një videoje intime.
Jo vetëm kaq, por pasi vajza i ka dhënë duart për herë të dytë, ai i shkruan kujtdo që ajo njeh, duke e paraqitur atë si një femër të lehtë, duke i sjellë të resë një situatë ankthi dhe stresi.
Sipas një burimi të pranë zyrës kundër krimeve kompjuterike, shtetasja E. H . ka rënë viktimë dhe ka marrë një leksion të vështirë me besimin që i dha ish të fejuarit.
Sipas burimeve ajo u paraqit pranë policisë qendrore të Tiranës dhe kishte vetëm një ankesë.
Kërkonte të sekuestrohej një video intime që kishte bërë në mirëbesim me ish të fejuarin, gjatë kohës që ata ishin në lidhje të fshehtë pa e bërë ende publike.
“Ish i fejuari im vazhdon të jetë nën shërbim prove, pasi me këtë video më ka kërcënuar edhe më parë. Për shkak të videos intime unë pranova të fejohesha me të, por kur u binda se çfarë ishte e lashë. Ai nisi shantazhet me videon, hapi Facebook në emrin tim, hapi Instagram. Gjykata e dënoi për përndjekje”, tregon ajo para policisë.
Por këmbënguljen e ish të fejuarit për tu rikthyer me të 26 vjeçarja e ka përcjellë me indiferencë. E këshilluar edhe me prindërit vajza ka vendosur t’i bëjë bllok në të gjitha llogaritë e saj.
Ndaj sipas burimit të gazetës “Si”, shtetasi E. Z. , 40 vjeç ka gjetur një tjetër rrugë për t’ia prishur qetësinë.
Ai hapi një llogari në Facebook me emrin e 26 vjeçares, që ishte i rremë. Aty publikoi fotografi të ish fejuarës. Pasi vajza ka vazhduar të heshtë, ai duke u shtirur si ajo e duke bërë miq kushërinj e miq të saj, shkroi edhe statuse denigruese.
I njëjti burim pohon se është bërë edhe kqyrja e telefonit të denoncueses, ku janë administruar disa mesazhe me përmbajtje shantazhuese ndaj vajzës dhe familjes së saj
Vajza pohon para agjentëve se pasi ish i fejuari u kishte shkruar edhe kushërinjve të saj, njëri prej tyre ka kërkuar adresën e 40 vjeçarit për tu sqaruar ”shqiptarçe”. “ Nuk pranova se nuk dua të bëj konflikte dhe nuk dua të hap problem për të afërmit. Kjo është punë për policinë që duhet të gjejë videon intime dhe të mbyllë llogaritë në FB” sqaroi 26 vjeçarja
Nga veprimet e para, pohon burimi i policisë, rezulton që 40 vjeçari, është larguar nga Shqipëria dhe jeton jashtë vendit, ndonëse kishte detyrimin për tu paraqitur nën shërbim prove sipas vendimit penal të mëparshëm. Ai u shpall në kërkim policor bëhet me dije për një sërë veprash, ndërkohë që veç policisë sipas fjalëve të inxhinieres, atë e kërkon edhe familja e saj e cila si veprim të parë ka komunikuar me prindërit e tij.