Në hollin e Gjimnazit “Hivzi Sulejmani” në Fushë-Kosovë sot me një atmosferë festive u shënua 12 Qershori – Dita e Çlirimit të Komunës së Fushë-Kosovës.
Të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua nënkryetari i Komunës, z. Fadil Krasniqi, i cili në mes tjerash tha:
“Në këtë ditë të shenjtë, me nderime dhe mirënjohjen më të lartë, përkulemi përpara veprës së dëshmorëve, martirëve, viktimave civile të luftës sonë çlirimtare.
Kjo datë, si edhe shumë data tjera historike na kthejnë tek burimi i saj, duke filluar nga lëvizjet studentore, idealistët që ia përkushtuan jetën çështjes së atdheut, Lëvizja Demokratike e udhëhequr nga lideri historik, Ibrahim Rugova, e shumë e shumë intelektualëve të tjerë për të vazhduar me heroizmin e familjes Jashari në krye me komandantin legjendar Adem Jashari, djemtë e vajzat e Fushë-Kosovës që bashkuan pushkët e tyre me pushkën e komandantit Adem Jashari, lufta e pastër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që në bashkërrugëtim me trupat e NATO-s realizuan përfundimisht ëndrrat dhe përkushtimin e brezave të tërë, të cilët jo vetëm që e ëndërruan lirinë por edhe luftuan për të, të bindur se politikat shfarosëse dhe dhuna e regjimeve nuk mund ta shuajnë kurrë vullnetin e një populli për të jetuar i lirë dhe i pavarur në vendin e tij.”
Fushë-Kosova sot kur shënon 22 vjetorin e çlirimit, po shënon edhe një progres të jashtëzakonshëm në zhvillimin e saj infrastrukturor, ekonomik e social.
Ne, bashkërisht ndërtuam shkolla me infrastrukturë përcjellëse, salla të shumta të sportit, objekte shëndetësore, ura, kompletimin e infrastrukturës rrugore, shtrirja e rrjetit të ndriçimit publik në çdo lagje e fshat të komunës së Fushë-Kosovës si dhe një varg projektesh tjera të rëndësishme për të mirën e qytetarëve.
Në qeverisjen tonë kemi arritur të krijojmë një standard të ri në zhvillimin e projekteve në Komunën e Fushë-Kosovës, secili qytetar është afër çdo zhvillimi që ndodhë, çdo ditë që kalon një punë e mirë nis ose përfundon në qytetin tonë.
Më lejoni që në emër të Komunës të shprehi falënderimin tim për të gjithë akterët institucional brenda shtabit emergjent lokal të Fushë-Kosovës për menaxhimin dhe parandalimin e pandemisë COVID -19, në theks të veçantë shpreh falënderimin tim për Drejtorin e QKMF-së, z.Osman Maxhera, dhe Stacionin e Policisë në Fushë-Kosovë. Po ashtu, më lejoni që gjithashtu të falënderojmë edhe bizneset që operojnë në komunën e Fushë-Kosovës për solidaritetin e treguar gjatë përballjes me pandeminë, të cilët mbështetën dhe përkrahën njerëzit në nevojë.
Duke ju uruar 22 vjetorin e çlirimit, shpreh përkushtimin tim se si institucion do të vazhdojmë për të punuar ndershëm për qytetarët e komunës së Fushë-Kosovës, sepse ky është nderi më i madh që mund t’iu bëjmë atyre që u flijuan për çlirimin e qytetit tonë”, tha z. Fadil Krasniqi nënkryetar i Komunës së Fushë-Kosovës.
Para të pranishmëve u shfaq një program i pasur i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Zëri i Kosovës” dhe nga nxënësit e Gjimnazit “Hivzi Sulejmani”
Pas programit të pranishmit vizituan ekspozitën e nxënësve dhe vendosën kurora me lule pranë varrezave të dëshmorëve dhe martirëve të Fushë-Kosovës.