Institucioni më i madh i futbollit evropian, UEFA e ka gjobitur me mbi 50 mijë euro klubin e Llapit për ndeshjen me Buduqnost Podgoricën në ndeshjen e kthimit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të rrethit të parë kualifikues në Ligën e Konferencës.
Në dënimin e shqiptuar thuhet se ai është shqiptuar për shkak të “sjelljes raciste të tifozëve, hyrjes së tifozëve në fushë, hedhjes së sendeve dhe pishtarëve dhe mesazheve provokuese”.
Tifogrupi i Llapit “Legjendat” në fillim të ndeshjes shfaqën pankartën në të cilën ishte ndarë harta e Malit të Zi me mesazhin: “Ti je i radhës”.
Ky dënim për Llapin është më i lart sesa për klubin malazez, anise edhe tifozët e tyre kishin bërë thirrje kundër shqiptarëve, ndërsa nuk mungoi as koreografia me motive nacionaliste kundër shqiptarëve.
Javën e kaluar, Buduqnost u gjobit me mbylljen e tribunës veriore dhe gjithsej 35.375 euro, për shkak të “sjelljes raciste të tifozëve dhe hedhjes së sendeve në fushë” në ndeshjen e parë me Llapin.