Lionel Messi duket gjithnjë e më shumë i destinuar të largohet nga PSG këtë verë, kur i skadon kontrata. Pas shumë thashethemeve dhe mosmarrëveshjeve, duket se argjentinasi ka pranuar të kalojë në Arabinë Saudite, ku një kontratë prej 500 milionë euro në vit, për dy sezone, e pret nga Al-Hilal, klubi rival i Al Nassr të Cristiano Ronaldos.
Një destinacion për të ardhmen me të cilën Marco van Basten nuk është dakord. Legjenda holandeze foli për “Ziggo Sport” mbi vendimin e mundshëm të Messit për t’u larguar nga futbolli evropian për paratë e Arabisë Saudite:
“Mendoj se është një gjë shumë e keqe, që ende yjet duhet të shkojnë atje për shumë para. Messi ka fituar shumë para gjatë karrierës, nuk ka nevojë për diçka të tillë tashmë në fund. Natyrisht, ai mund të shkojë ku të dojë dhe të bëjë gjërat që i pëlqejnë, por unë nuk mund ta imagjinoj këtë lëvizje. A jeni shefi i vetes apo jo? Mund të luani futboll kudo që dëshironi, apo jo?”
E ardhmja e Leo Messit duket se është gjithnjë e më e largët nga Evropa dhe gjithnjë e më afër Arabisë Saudite. Në fakt, kampioni argjentinas i botës duket se është një hap larg të bërit lojtar i ri i Al-Hilal. Klubi saudit është gati të bëjë çdo çmenduri për ta marrë në radhët e veta dhe kontrata e formuluar ka shifra marramendëse.
Sipas raportimeve nga “L’Equipe”, klubi saudit ofron 500 milionë euro në vit, për dy sezone, me opsion rinovimi për një të tretë. Jo vetëm kaq, Messi do të kishte më shumë se 100 milionë bonuse, me të ardhura rreth 1.3 milionë në ditë. Asnjë futbollist në botë nuk është paguar kaq shumë ndonjëherë.
Këto shifra janë mohuar menjëherë nga babai i Leo Messit, i cili në një deklaratë potencoi: “Nuk ka absolutisht asgjë të rënë dakord me asnjë klub për sezonin e ardhshëm. Vendimi nuk do të merret përpara se Lionel të përfundojë kampionatin me PSG. Ne do të vendosim në fund të sezonit. Asgjë nuk është nënshkruar, as rënë dakord verbalisht. Vetëm lajme të rreme, duke përdorur emrin e Leos”.