Hetimet për të zbardhur të vërtetën mbi vrasjen e Liridona Ademajt po vazhdojnë ende. Prokuroria Themelore e Prishtinës s’ka pranuar aktualisht të ndajë më shumë informacione. Këtë ka thënë se do ta bëjë në momentin që vendos për epilogun e rastit. Në paraburgim, si të dyshuar për këtë vrasje, janë tre persona, përfshirë edhe ish-bashkëshorti i 30-vjeçares, i cili dyshohet se porositi vrasjen. Sot atyre Gjykata ua ka zgjatur këtë masë edhe për dy muaj.
Muajin e ardhshëm, bëhen një vit nga dita kur u krye një nga vrasjet më tinëzare në Kosovë. Në fshatin Bërrnicë të Prishtinës, mbrëmjen e 29 nëntorit të vitit 2023, dy fëmijëve të saj, u qëllua me plumb në qafë Liridona Ademaj.
Në momentin kur ndodhi ngjarja tragjike, 30-vjeçarja ndodhej në veturë me fëmijët dhe bashkëshortin, Naim Murseli, i cili dyshohet se e porositi vrasjen e saj.
Dyshimet janë se vrasjen e kishte kryer Granit Plava, pasi Murseli ia kishte premtuar 30 mijë euro. I dyshuar është edhe nipi i Murselit, Kushtrim Kokalla, që ishte pjesëtar i FSK’së. Sipas raportimeve, ai ia kishte gjetur dorasin Murselit.
Prokuroria Themelore e Prishtinës po vazhdon hetimet për të zbardhur të vërtetën se si ndodhi ky rast, që në fillim ishte inskenuar si grabitje.
Nga kjo Prokurori s’kanë pranuar të ndajnë më shumë informacione për rastin tani, duke thënë se këtë do ta bëjnë kur të vendosin për epilogun.
“Lidhur me pyetjet tuaja, Prokuroria Themelore në Prishtinë ju njofton se lënda është në procedurë hetimore, në momentin që vendosim lidhur me epilogun e rastit, do të japim informacionet e nevojshme”, kanë deklaruar nga kjo prokurori për Gazetën Express.
Informacione për rastin, përfshirë konfirmimin e një bashkëpunimi me autoritetet suedeze meqë viktima dhe i dyshuari kanë pasur edhe kwtw shtetwsi, s’ka pranuar të ndajë as Policia e Kosovës.
Për pyetjet që i janë drejtuar lidhur me këtë rast, Policia ka kërkuar që të njëjtat t’i drejtohen Prokurorisë.
“Referuar shkresës suaj ju lutemi ti adresoheni organeve të drejtësisë, gjegjësisht prokurorisë”, kanë deklaruar shkurtimisht nga Policia.
Për rastin s’ka pranuar të flasë as avokatja e Murselit, Teuta Zhinipotoku.
Murselit, Plavws dhe Kokallws u vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj
Tre të dyshuarit për rastin, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kastriot Kokalla, ishin arrestuar ditën kur ishte varrosur Liridona, saktësisht disa orë pas ceremonisë së varrimit. Prej atëherë ndodhen në paraburgim.
Gjykata Themelore e Prishtinës u ka vazhduar sot këtë masë atyre edhe për dy muaj për secilin.
“Ju njoftojmë se me datë 24.10.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale ndaj të pandehurve N.M, G.P dhe K.K. Të pandehurve N.M, G.P dhe K.K iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej (2) muaj për secilin, e cila masë do ju zgjasë deri me datë 24.12.2024”, ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi.
Murseli dyshohet se veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Plava për veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe vepën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, derisa Kokalla për shkak të veprës penale “Marrëveshja për të kryer veprën penale Vrasje e rëndë.”.
Në një njoftim që kishte lëshuar Gjykata për caktimin e paraburgimit, kishte dhënë një përshkrim për dyshimet si ishte kryer vrasja.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta , në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi I ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, është dyshimi se si ka ndodhur rasti.
Motivi i panjohur, hetimet nw drejtim tw disa pistave
Motivi i këtij rasti asnjëherë nuk është bërë i ditur. Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ishte deklaruar një herë për këtë rast dhe kishte thënë se po hetohen disa pista.
“Procesi hetimor vazhdon në disa faza. Policia në këtë rast është treguar shumë efikase dhe profesionale. Në afat rekord ka sqaruar vrasjen dhe ka arritur të arrestojë personat e përfshirë në këtë rast. Mbetet të zbulohet për motivin e kësaj vrasjeje. Jemi duke hetuar disa pista, por s’mund të bëj publike asgjë, derisa të kemi të kemi të qartë motivin”, ka thënë Hoxha në Frontal të T7.
I pyetur nëse është kapur nga kamerat e sigurisë momenti i vrasjes së Liridonës, Hoxha kishte thënë se në vendin ku ka ndodhur krimi nuk ka kamera.
“Momenti i vrasjes s’është i fokusuar. Ka qenë një zonë që s’është kapur nga kamerat”, ka thënë tutje ai.
Hetimet për këtë rast po vëzhgohen edhe nga Suedia, meqë Liridona dhe Naimi ishin shtetas suedez.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme të Suedisë kanë deklaruar gjatë dhjetorit për Express se mund të konfirmojnë arrestimin e një burri rreth të 30’ve në Kosovë, duke aluduar për Murselin dhe se me rastin po merret ambasada suedeze në Prishtinë.
Informacione të s’kishin pranuar të ndajnë, për shkak të konfidencialitetit.
“Ministria suedeze e Punëve të Jashtme mund të konfirmojë se një burrë rreth të 30-ave është arrestuar në Kosovë. Ambasada e Suedisë në Prishtinë po merret me këtë çështje. Dispozitat e fshehtësisë në çështjet konsullore parandalojnë zbulimin e çdo informacioni të mëtejshëm. Të gjitha pyetjet në lidhje me ndonjë hetim policor ia referojmë policisë në Kosovë”, thuhet në përgjigjet e Zyrës për Media të MPJ’së së Suedisë.
Informacione s’kanë pranuar të ndajnë as Policia e Suedisë. Në pyetjet që i kishte drejtuar Gazeta Express tek ky institucion, përfshirë edhe një nëse Murseli ka të kaluar kriminale atje, Policia suedeze kishte thënë se ligjet e privatësisë s’ua lejojnë të përgjigjen në të tilla pyetje.
“Policia suedeze nuk është në gjendje të ndihmojë me përgjigjet e pyetjeve që ju i keni bërë autoritetit policor në emailin tuaj. Kjo në lidhje me legjislacionin suedez të privatësisë”, thuhej në përgjigjen e policisë suedeze për Express.
Për rastin kishte folur edhe Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.
Ai kishte thënë se shteti suedez po punon ngushtë me autoritetet e Kosovës për hetimin e këtij rasti, të cilin e cilësoi “mister”.
“Ne jemi duke punuar pandërprerë rreth këtij rasti së bashku me autoritetet lokale të Kosovës. Ky është një rast shumë i ndjeshëm dhe ka shumë mister rreth këtij rasti, nuk mund të them më shumë, jemi duke punuar në këtë rast bashkë me autoritetet”, kishte thënë ambasadori.
Tentimi për ta fshehur rastin duke e inskenuar si grabitje
Rasti i vrasjes së Liridonës ishte tentuar të fshehej në ditët e para. Rasti fillimisht ishte kualifikuar si “Grabitje me pasoja të vrasjes”, duke u bazuar në rrëfimin e Naim Murselit.
Në raportin 24 orësh të Policisë, një ditë pas ngjarjes, thuhej se viktima ka qenë në veturë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, kur një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe pastaj ka qëlluar me armë zjarri.
“GRABITJE ME PASOJA TË VRASJES – Rr. Dlip Alshiq, Prishtinë 29.11.2023 –20:26. Raportohet se viktima femër kosovare, derisa ka qenë me bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre me veturë, një person i panjohur i armatosur i ka ndaluar dhe ua ka kërkuar të gjitha gjërat me vlerë dhe është qëlluar me armë zjarri për vdekje. Lidhur me rastin është intervistuar bashkëshorti i saj, dëshmitari mashkull kosovar i cili kishte arritur të largohet nga vetura me dy fëmijët e tyre. Njësit relevante policore, prokurori dhe ndihma e shpejtë urgjente kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga mjeku është konstatuar vdekja e viktimës. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.
Ndërkohë, babai i Naim Murselit, Shaban Murseli, kishte dhënë një version, ku sipas tij, Liridona kishte në çantë 3 mijë euro dhe se kishte rezistuar t’i dorëzonte.
“Sipas çdo informacioni që kam, këta ishin duke u vendosur në shtëpi të re. Liridona kishte pasur një shumë të konsiderueshme në çantë dhe ka bërë rezistencë. Kanë pasur diku te 3 mijë euro. Naimi ishte duke ngarë makinën. Ata i kanë dalë me armë para makinës. Kur ju kanë dalë me armë, Naimi e ka kuptuar se do të vriten të gjithë dhe ka ikur nga makina. Flitet dhe një variant tjetër ku ka hapur derën e fëmijëve dhe i ka thënë bashkëshortes; ik, por ajo ka bërë rezistencë. Por mund të jetë ngatërruar me rripin e sigurimit pasi ishte stresi.”, kishte deklaruar ai për media.
Më 9 dhjetor të vitit të kaluar është arrestuar edhe një person tjetër për këtë rast. I dyshuari i katërt është T.D., nga Novosella e Gjakovës. Ai dyshohet se ia kishte shitur armën dorasit. I njëjti është liruar nga paraburgimi në prill të këtij viti.