Diskriminimi i sportistëve kosovarë vazhdon edhe 15 vjet pas shpalljes së Pavarësisë.
Pas Donjeta Sadikut, e cila rishtazi mbeti pa pjesëmarrje në Kampionatin Botëror të boksit, “viktimë” e politikës ishin edhe karateistët kosovarë.
Ata po planifikonin të merrnin pjesë në Kampionatin Evropian të karatesë për seniorë, i cili do të mbahet në Guadalajara të Spanjës, shkruan “Gazeta Express”.
Ekipi kosovar, i përbërë prej 11 personash ka udhëtuar për në Spanjë me ftesë të Federatës së Karatesë Spanjolle, por atje është përballur me të papritura.
Qeveria spanjolle, vend ky që nuk e njeh shtetin tonë, ka kërkuar që garuesit e Kosovës të mos paraqiten me simbole shtetërore, ndërsa më pas garuesit kosovarë e panë veten edhe jashtë shortit.
Me këtë rast, karateistët nga Kosova me gjasë mbetën edhe pa pjesëmarrje në këtë kompeticion.
Kjo është padrejtësia e radhës që po iu bëhet sportistëve kosovarë, të cilët derdhin djersë dhe bëjnë mund të madh me muaj të tërë për t’u përgatitur për gara të tilla dhe në fund iu mohohet një e drejtë elementare.
Më poshtë mund ta lexoni njoftimin e Federatës së Karatesë së Kosovës.