Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj dhe njërit prej kontribuesve të mëdhenj të futbollit të Kosovës, Enver Qosa, andaj Ju lutemi të pranoni ngushëllimet më të sinqerta në emrin tim, të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së dhe gjithë komunitetit të futbollit të Kosovës.
Enveri ishte një figurë rëndësishme e futbollit të Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të vështira të okupimit (1990-1999), por edhe pas luftës, si gjyqtar e më pas edhe si vëzhgues i gjyqtarëve. Ai i përkiste gjeneratës së Republikës, një periudhë kur sportistët dhe punëtorët sportivë, me guxim të jashtëzakonshëm, i dolën zot mëvetësimit të sportit dhe shtetndërtimit përballë okupuesit serb.
Si gjyqtar autoritativ, Enver Qosa ndau drejtësinë në fushat e improvizuara të futbollit me guxim dhe vendosmëri të pashembullt, duke mos u përkulur asnjëherë përballë presioneve dhe kërcënimeve të regjimit serb. Ai me shumë kolegë të tij u bënë simbol i qëndresës dhe një frymëzim për të rinjtë e kohës.
Krahas kontributit të tij në futboll, Enveri gjatë tërë jetës së tij ishte shembull edhe në edukimin e brezave të rinj llapjan, qoftë si mësimdhënës e qoftë si drejtor shkolle, teksa u shqua edhe për organizimin e aktiviteve të shumta atdhetare.
Në këto momente të vështira, ndajmë bashkë me ju dhembjen dhe ju qëndrojmë afër në përballimin e kësaj humbjeje të madhe.
Familja humbi më të dashurin, ndërsa futbolli dhe shoqëria humbën një personalitet me vlera të larta njerëzore dhe profesionale.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për Enver Qosën!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së