Autori i dyshuar i vrasjes në pritë të 40-vjeçarit Hekuran Billa mbrëmjen e të enjtes në Tiranë është vëllai i 22-vjeçarit Prel Marku, i vrarë nga Billa, në vitin 2006, në Angli, raporton News24.
Mësohet se ai është shpallur në kërkim nga policia, e cila për momentin nuk ka bërë me dije detaje për shkak të hetimeve.
Autori i dyshuar është 34 vjeçari V. Marku, ndërsa nuk dihen ende bashkëpunëtorët e tij në krim.
Si ndodhi masakra 14 vite më parë në “Park Royal”, për ngjarjen 40-vjeçari u dënua me burg përjetë në Angli
Në vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit në Tiranë, kur edhe ia kanë njehsuar vendimin nga burgim të përjetshëm në 25 vite burg, përshkruhet edhe masakra e ndodhur në Angli, me autor Hekuran Billën.
Sipas Gjykatës, 40-vjeçari Billa, pas disa konflikteve që ka pasur me disa shtetas shqiptarë që jetonin në Angli, më datë 14.10.2006 ka hyrë në një lokal në rrugën “Park Royal” dhe ka qëlluar me breshëri me armë në drejtim të tyre, ku si rezultat ka mbetur i vrarë shtetasi Prel Marku dhe janë plagosur shtetasit Petrit Brahoj, Agron Gjoni dhe Musa Rrahmani.
Për këto fakte, ai është deklaruar fajtor për veprën penale të “Vrasjes” së shtetasit Prel Marku, është deklaruar fajtor për veprën penale të “Vrasjes së mbetur në tentativë” ndaj shtetasve Petrit Brahoj, Agron Gjoni, si dhe është deklaruar fajtor për veprën penale “Plagosje me dashje për të shkaktuar lëndim të rëndë trupor”, për shtetasin Musa Rrahmani.
Sipas vendimit penal të huaj Nr.T.20087287, datë 14.10.2008, të Gjykatës së Kurorës Snaresbook Angli, shtetasi shqiptar Hekuran Billa është dënuar: Për veprën penale “Vrasja” me burgim të përjetshëm, me rekomandim që të vuajë një minimum prej 34 vjetësh para lirimit; me nga 15 vjet burgim për dy “Vrasje të mbetura në tentativë”; si dhe me 12 vjet burgim për veprën penale të “Plagosjes me dashje për të shkaktuar lëndim të rëndë trupor”, dënime këto të cilat do të kryhen njëkohësisht me vuajtjen e dënimit me burgim të përjetshëm.
Apeli i Tiranës, pas shqyrtimit të dosjes thotë se i dënuari Hekuran Billa është dënuar nga Gjykata e Kurorës Snaresbook në Angli për veprat penale të “Vrasjes”, të “Vrasjes së mbetur në tentativë” dhe të “Plagosjes me dashje për të shkaktuar dëmtim të rëndë trupor”, që nga Kodi ynë Penal parashikohen respektivisht nga nenet 76, 76-23 dhe 88/1 dhe mbi këto dispozita duhet bërë edhe caktimi i dënimit për çdo vepër penale.
Kështu, në bazë të nenit 76 të K.Penal, të dënuarit Hekuran Billa i caktohet dënimi prej 20 vitesh burgim. Në bazë të nenit 76-23 të K.Penal, i caktohet dënimi prej 15 vitesh burgim dhe në bazë të nenit 88/1 të K.Penal, i caktohet dënimi prej 10 vitesh burgim. Në aplikim të nenit 55 të K.Penal, i caktohet një dënim i vetëm prej 25 vitesh burgim.